Pavarësisht zgjatjes së orës policore dhe shtimit të aktiviteteve me më shumë njerëz të grumbulluar, situata epidemiologjike paraqitet e qëndrueshme, sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve.
“Komiteti Teknik i Ekspertëve, në mbledhjen e sotme, analizoi indikatorët monitorues ditor, javor dhe dy-javor të kësaj situate në këtë periudhë që sezoni turistik ka disa kohë që ka filluar dhe janë shtuar edhe aktivitetet në përputhje me rekomandimet që kemi dhënë. Siç është vënë re, edhe në këtë periudhë të shtimit të orës policore dhe të rritjes së numrit të personave të grumbulluar të lejuar, situata vazhdon të mbetet e qëndrueshme, me indikatorë më të ultët në rajon dhe Europë.” – tha Prof. Mira Rakacolli.
Bazuar në të dhënat e fundit, Rakacolli u shpreh se Komiteti Teknik i Ekspertëve propozon zgjatjen e orarit të lejuar të muzikës, nga ora 22:00 në orën 23:00. Masat e tjera, që hynë në fuqi më 1 korrik, vazhdojnë të mbeten në fuqi si më parë.
Prof. Rakacolli theksoi se personat mbi 18 vjeç duhet të shfrytëzojnë javën e vaksinimit masiv.
“Me kartën e identitetit mund të paraqiteni në qendrën tuaj shëndetësore ose në qendrën më të afërt të vaksinimit, përgjatë gjithë javës, nga mëngjesi deri në 8 të mbrëmjes, për të kryer pa kufizim vaksinën anticovid.” – sqaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Masat në fuqi:
- Ora policore: 24:00 - 06:00
- Lejohen kampionate sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30%, sipas protokollit të Institutit të Shëndetit Publik.
- Lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencat, me kapacitet të reduktuar deri në 30% te spektatorëve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve të Institutit të Shëndetit Publik.
- Këshillohet: Mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura; distanca fizike dhe higjiena.