Leonora Jakupi u ka dalë në mbrojtje dy shqiptarëve të Kosovës, të cilët ishin kryefjalë në shumë media, pasi u filmuan nga policia duke bërë garë shpejtësie në autostradën Fier-Vlorë.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Policia e Shtetit raportoi duke shkruar se dy makinat Lamborghini dhe BMW udhëtonin “me shpejtësi të frikshme 225 km/h drejt Vlorës” dhe nuk i ndaluan policisë, ndonëse u bllokuan më pas.
Ngjarja – e përshkruar nga policia si papërgjegjshmëri ndaj jetës dhe vrastare apo e rrezikshme për përdoruesit e tjerë të rrugës – u raportua edhe në gazetën zvicerane Blick.ch, ku shkruhet se automjetet luksoze janë marrë me qira në Zvicër.
Sidoqoftë, çfarë është shqetësues është mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor, një temë tepër delikate së fundmi që është në qendër të vëmendjes për shkak të shumë aksidenteve që kanë përfunduar në tragjedi. Këto situata e bëjnë të papërshtatshëm reagimin e Leonora Jakupit në Instagram.
“Ç’keni more me gjithë këto sulme për mërgatën tonë? Jo po garojnë me vetura, jo po parkohen keq, s’po i respektojnë rregullat në komunikacion etj,” shkruan ajo në Instagram. “A mos jemi ne më të mirë se ata? Apo keni harruar që jemi brumë i njëjtë?”
Përpos kësaj, ajo shton, “lërini njerëzit, le të kënaqen në vendin e vet. Tek e fundit, secili paguan për gabimin e vet,” duke harruar që rruga na përket të gjithëve dhe për fat të keq, mund të ndodhë të paguajnë të tjerët për gabimin e dikujt që ecën me 225 km/h në një zonë ku shpejtësia maksimale e lejuar është shumë më e ulët.
Lexo edhe: Leonora Jakupi sqaron deklaratën për diasporën dhe respektimin e Kodit Rrugor