KORONAVIRUS

Shtohen rastet për shkak të variantit Delta: Komiteti i Ekspertëve flet për masat anti-Covid

Shkruar nga Anabel

25 Gusht 2021

Shtohen rastet për shkak të variantit Delta: Komiteti i

Komiteti Teknik i Ekspertëve bëri me dije në konferencën e ditës së sotme se ka një rritje të numrit të të infektuarve me Covid, përfshirë këtu edhe rritjen e të shtruarve në spital, ndonëse është shumë më i ulët se numri i të shtruarve në spital në të njëjtën kohë një vit më parë.

“Arsyeja kryesore është prania e virusit Delta, që dihet që ka një shkallë infektueshmërie më të lartë. Në vend ka vazhduar pa ndërprerje vaksinimi, falë sigurimit në vazhdimësi të dozave të vaksinave dhe organizimi të një procesi sa më pranë qytetarëve dhe padyshim që ka bërë që situata të jetë e kontrolluar,” tha kryetarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli.

Ekspertët u shprehën se mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 raste nga rreth 291 i një jave më parë. Numri total i rasteve aktive është rritur, çka ka rritur incidencën 2 javore me 5 herë. Albana Fico, nga Instituti i Shëndeti Publik, solli në vëmendje se grupmoshat 35-64 vjeç kanë një rritje të konsiderueshme të rasteve të reja.

Ajo përmendi se bashkitë me incidencën më të lartë janë Saranda, Himara, Malësia e Madhe, ndërsa nga bashkitë e mëdha janë Shkodra, Tirana dhe Vlora.

Në lidhje me masat anti-Covid, Rakacolli u shpreh se nuk do të ndryshojnë sepse u përgjigjen mirë situatës epidemiologjike, por problemi është zbatimi i tyre. Ato janë:

- Detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si edhe në ambientet ku është e pamundur mbajtja e distancës sociale (qendrat tregtare, supermarketet, aeroportet, transport publik etj).
- Grumbullimet në ambientet e jashtme lejohen deri në 50 persona.
- Ora policore nga 00.00 - 06:00.
- Muzika lejohet deri në orën 23:00.
- Lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave si edhe kampionatet sportive, me kapacitet të reduktuar deri në 30% të spektatorëve apo pjesëmarrësve, sipas protokolleve të ISHP.

Rakacolli theksoi se situata mund të vazhdojë të mbetet e qëndrueshme, nëse zbatohen me përpikmëri masat dhe qytetarët vaksinohen.