Shkencëtarët kanë zbuluar një ishull të ri në brigjet e Grenlandës, për të cilin ata thonë se është pika më veriore e tokës në botë dhe u zbulua nga zhvendosja e akullit.
"Nuk ishte qëllimi ynë që të zbulonim një ishull të ri," tha eksploruesi polar dhe kreu i objektit kërkimor të stacionit Arktik në Grenlandë, Morten Rasch. "Ne thjesht shkuam atje për të mbledhur mostra."
Shkencëtarët fillimisht menduan se kishin mbërritur në Oodaaq, një ishull i zbuluar nga një ekip danez në vitin 1978. Vetëm më vonë, kur kontrolluan vendndodhjen e saktë, ata kuptuan se kishin vizituar një ishull tjetër 780 metra në veri-perëndim.
Ishulli i vogël, me përmasa afërsisht 30 metra përbëhet nga balta e detit, si dhe shkëmbinj të lënë pas nga akullnajat në lëvizje. Ekipi tha se ata do të rekomandonin që të quhej "Qeqertaq Avannarleq", që do të thotë "ishulli më verior" në grenlandisht.
Disa ekspedita amerikane kanë kërkuar dekadat e fundit për ishullin më verior të botës.
"Ai plotëson kriteret e një ishulli," tha Rene Forsberg, profesor dhe shef i gjeodinamikës në Institutin Kombëtar të Hapësirës në Danimarkë. "Kjo është aktualisht toka më në veri në botë."
Edhe pse ai paralajmëroi: "Këta ishuj të vegjël vijnë e shkojnë".
Burimet: Guardian, Reuters