Në një deklaratë për shtyp, Komiteti Teknik i Ekspertëve propozoi vendosjen e vaksinimit të detyrueshëm për të gjithë mjekët, studentët dhe pedagogët.
Mira Rakacolli, kryetarja e Komitetit rekomandoi që të treja këto kategori të jenë vaksinuar deri në datën 30 shtator dhe të dorëzojnë dokumente përkatëse në zyrat e punës/shkollë - një kopje të kartës së vaksinimit të dalë nga e-Albania.
"Pas kësaj date, për ata të cilët nuk kanë kartë vaksinimi, pra nuk janë vaksinuar, do të kërkohet paraqitja periodike e një testi PCR për të vërtetuar gjendjen shëndetësore", shtoi ajo.
Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se të dhënat kanë treguar se varianti Delta po infekton njerëzit që për arsye të ndryshme s’e kanë bërë vaksinën.
“95% e të shtruarve në spital janë të pavaksinuar, çka tregon se këta të fundit po rrezikojnë shumë”, tha ajo.
Më 26 gusht, edhe kryeministri Edi Rama tha se "mund të vijë momenti që studentët dhe pedagogët të vaksinohen, nëse duan të hyjnë në auditore".