Duhen vetëm pak orë që një thashethem të bëjë xhiron e botës nëpër internet. I fundit, që u përhap me shpejtësinë e erës ishte ai që bëri bashkë mbretëreshën Elizabeth dhe Ronaldo-n. Ç'ndodhi?
U tha se mbretëresha vetë ka porositur 80 fanella të Man United dhe ka kërkuar në mënyrë të veçantë që e para të firmoset nga futbollisti për të.
Cristiano Ronaldo u rikthye në Manchester United pas 12 vitesh dhe interneti u emocionua më shumë se vetë ai. Pjesë e entuziazmit të rikthimit ishin dhe të tilla lajme, për të cilat deri tani nuk ka asnjë konfirmim. Kush e shpiku?!
Mjaftoi një postim i pamenduar në Twitter nga Sport Innovation Society, të cilët më pas e fshinë dhe kërkuan ndjesë për çfarë shkruan.
Pavarësisht ndjesës, thashethemi nuk ndaloi dhe në titujt e parë të portaleve, rezultonte që mbretëresha i kërkon personalisht Cristianos një autograf.
Ndër të tjera, mbretëresha Elizabeth nuk njihet si fanse e skuadrës së Manchester United. Nuk ka shprehur kurrë mbështetje për clubin dhe në 2018-ën u tha publikisht se zgjedhja e saj është të qëndrojë neutrale në sport. Kjo e bën dyfish më të pabesueshëm thashethemin më të famshëm të 24 orëve të fundit në internet.
Burimi: Republic World