Muzika

Plácido Domingo: Nga madhështia, akuzat për ngacmim seksual, koncerti në Tiranë etj

Shkruar nga Anabel

14 Shtator 2021

Plácido Domingo: Nga madhështia, akuzat për ngacmim seksual,

Në moshën 80-vjeçare, pas më shumë se 60 vitesh si këngëtar profesionist i operës, Plácido Domingo duket se nuk ka në plan të tërhiqet. I konsideruar si një nga më të mirët e të gjitha kohërave, karriera e tij ka njohur suksese të jashtëzakonshme, ndonëse nuk u ka shpëtuar as akuzave të rënda. Megjithatë, ai këmbëngul në të vërtetën e tij dhe së fundmi vihet re se u është rikthyer skenave të operës. Për herë të parë, Domingo do të performojë edhe në Shqipëri. Por s’i fillim, le të hedhim një vështrim përmbledhës për jetën dhe karrierën, nga opera, akuzat për ngacmime seksuale, përgjigjet e tij, reagimi nga komuniteti, rikthimi në skenë etj.

Plácido Domingo: Nga madhështia, akuzat për ngacmim seksual,

Pak fjalë për jetën dhe karrierën

Plácido Domingo lindi më 21 janar 1941 në rrethin Retiro të Madridit. Që në moshën 5-vjeçare, nëna e tij e kuptoi se do të ishte një muzikant i njohur për shkak të aftësisë për të kënduar zarzuela (zhanër i vështirë liriko-dramatik spanjoll). Në moshën 8-vjeçare, familja u transferua në Meksikë dhe u angazhua në konkurse për muzikë, mësoi piano dhe kur ishte 14 vjeç, u pranua në Konservatorin Kombëtar të Muzikës në Meksikë.

Gjatë karrierës, ai ka regjistruar mbi 100 opera të plota dhe është i mirënjohur për shkathtësinë për të performuar në italisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, anglisht dhe rusisht në shtëpitë më prestigjioze të operës në botë. Edhe pse në pjesën më të madhe të karrierës ka qenë kryesisht tenor-lirik, repertori i Domingo-s së fundmi ka pasur më së shumti pjesë baritone.

Plácido Domingo: Nga madhështia, akuzat për ngacmim seksual,

Në 1990, nisi të këndojë me tenorët e famshëm Luciano Pavarotti dhe José Carreras si pjesë e grupit “The Three Tenors”. Regjistrimi i tyre i parë për “Three Tenors” u bë albumi klasik më i shitur i të gjitha kohërave; në kujtesën e adhuruesve të muzikës klasike kanë mbetur gjatë “Nessun dorma” e Puccini-t apo balada “O Sole Mio”.

Plácido Domingo: Nga madhështia, akuzat për ngacmim seksual,

Në shumë renditje të ekspertëve të fushës, Plácido Domingo, Luciano Pavarotti dhe Enrico Caruso konsiderohen si 3 më të mirët e të gjitha kohërave.

Plácido Domingo: Nga madhështia, akuzat për ngacmim seksual,
Plácido Domingo dhe Marta Ornelas

Ai u martua për herë të parë kur ishte 16-vjeç me Ana María Guerra Cué dhe patën një djalë, i cili njihet si Pepe. Martesa përfundoi pas një viti. Në vitin 1962, ai u martua me sopranon Marta Ornelas, e cila hoqi dorë nga karriera për t’iu përkushtuar familjes. Ata kanë bashkë dy djem, Plácido Francisco dhe Alvaro Maurizio.

Më shumë se opera

Plácido Domingo ka arritur sukses të konsiderueshëm edhe përtej operës. Ka fituar 12 çmime Gramy, 3 Latin Grammy, ka bërë më shumë se 50 video muzikore, ka fituar 2 çmime Emmy etj. Albumi i tij i parë pop “Perhaps Love” i dha famë përtej botës së operës. Ai është vlerësuar për lëvrimin e zhanreve të muzikës latine, country dhe folk.

Sot, Domingo shërben si Kryetar i Federatës Ndërkombëtare të Industrisë Fonografike; President i Europa Nostra; Themelues i Operalia, Konkursi Botëror i Operës.

Plácido Domingo: Nga madhështia, akuzat për ngacmim seksual,

Akuzat për ngacmim seksual

Në gusht të vitit 2019, Domingo u akuzua nga gra të shumta për ngacmim seksual. Tetë këngëtare dhe një balerinë thanë se Domingo i ngacmonte seksualisht, me incidente që datonin në fund të viteve ’80.

Associated Press raportoi se foli me "pothuajse tre duzina këngëtarësh të tjerë, valltarë, muzikantë të orkestrës, anëtarë të stafit në prapaskenë, mësues të zërit dhe një administrator i cili tha se ata ishin dëshmitarë të sjelljeve të papërshtatshme me ‘ngjyresa’ seksuale nga Domingo".

U raportua se ngacmimet seksuale të Domingos drejt grave të reja ishin një "sekret i hapur" në botën e operës. Një këngëtare e akuzoi Domingo-n se i preku gjoksin pa dëshirën e saj para një performance. Sipas saj, ai i futi duart nën reçipeta dhe i shtrëngoi gjoksin. “Më dhembi,” tha ajo për AP. “S’ishte aspak i butë. Më shtrëngoi fort.”

Një grua e akuzoi Domingo-n se i kishte futur duart nën fundin e saj, ndërsa tre të tjera se i kishte puthur me dhunë në dhomat e zhveshjes, në dhoma hoteli dhe në një mbledhje.

Plácido Domingo: Nga madhështia, akuzat për ngacmim seksual,

Reagimi i Domingo-s

Domingo publikoi një deklaratë, duke thënë se "Pretendimet nga këta individë të paidentifikuar që datojnë deri në 30 vjet janë thellësisht shqetësuese, dhe siç paraqiten, të pasakta", duke shtuar se "Unë e pranoj që rregullat dhe standardet në të cilat ne jemi - dhe duhet të jemi – sot janë shumë të ndryshme nga ata që ishin në të kaluarën. Unë jam i bekuar dhe i privilegjuar që kam pasur një karrierë më shumë se 50-vjeçare në opera dhe do ta mbaj veten në standardet më të larta.”

Plácido Domingo: Nga madhështia, akuzat për ngacmim seksual,

Por nuk përfundoi këtu

Në shtator të vitit 2019, The Metropolitan Opera në New York njoftoi se Plácido Domingo pranoi të tërhiqej nga performancat e planifikuara pas akuzave. Legjenda e operës tha se s’do të performojë më kurrë në The Met.

“Debutova në The Metropolitan Opera në moshën 27-vjeçare dhe kam kënduar në këtë teatër të mrekullueshëm për 51 vite të lavdishme,” tha Domingo. “I kundërshtoj me forcë akuzat e ngritura kundër meje dhe jam i shqetësuar për këtë klimë, në të cilën njerëzit dënohen pa due process [proces ligjor]. Reflektova dhe dola në përfundimin se prezenca ime në produksionin e Makbethit do të tërhiqte vëmendjen nga puna e palodhur e kolegëve të mi në skenë dhe pas saj."

Ai u largua dhe dha dorëheqjën si drejtor i përgjithshëm i Operës së Los Angeles.

Plácido Domingo: Nga madhështia, akuzat për ngacmim seksual,

Mea culpa...një keqkuptim?

Pasi kërkoi ndjesë, Plácido Domingo këmbënguli se fjalët e tij ishin keqkuptuar. Në shkurt 2020, ai tha: "Ndjej se më duhet të jap një deklaratë tjetër për të korrigjuar përshtypjen e rreme të krijuar nga ndjesa ime.

"Unë e di çfarë nuk kam bërë dhe do ta mohoj përsëri. Unë kurrë nuk jam sjellë në mënyrë agresive me askënd dhe kurrë nuk kam bërë asgjë për të penguar karrierën e dikujt,” tha ai. “Falja ime ishte e sinqertë dhe nga zemra për çdo koleg të cilin mund ta kem lënduar në çfarëdo mënyre nga diçka që mund të kem thënë ose të kem bërë. Siç kam demonstruar në shumë raste, nuk kam qenë kurrë qëllimi im të lëndoj ose ofendoj askënd.”

Plácido Domingo: Nga madhështia, akuzat për ngacmim seksual,

Europa dhe SHBA-ja – qëndrimet

Akuzat ndaj sjelljeve të pretenduara u kaluan fillimisht më në heshtje në Europë, ndërkohë që në SHBA, shfaqjet e tij u anuluan me shpejtësi. Anulimet në Spanjë ishin të parat dhe u pasuan edhe nga ato të Royal Opera House në Londër.

Asokohe, Domingo tha se po tërhiqej nga “La Traviata” në Teatro Real në Madrid dhe do të bënte të njëjtën gjë me çdo vend "që mund të ketë vështirësi" me praninë e tij. Teatro Real konfirmoi se Domingo nuk do të merrte pjesë në asnjë nga shfaqjet e “La Traviata” të Verdit.

Los Angeles Opera kreu një hetim me firmën ligjore Gibson, Dunn & Crutcher, sipas të cilit, Domingo ishte një nga 44 personat e intervistuar. Hetuesit thanë se ai “kishte mohuar të gjitha akuzat për kontakte të padëshiruara dhe kishte pohuar se të gjitha ndërveprimet e tij ishin me konsensus të palës tjetër”. Raporti shtoi se hetuesit “shpesh arritën në përfundimin se ai ishte i sinqertë te mohimet, por disa prej tyre ishin më pak të besueshme”. Në raport u shtua se hetuesit “nuk gjetën asnjë provë që Domingo kërkoi të përfitonte kundrejt favoreve dhe as u hakmorr ndonjëherë kundër ndonjë gruaje”.

Plácido Domingo: Nga madhështia, akuzat për ngacmim seksual,

Rikthimi

Në intervistën e tij të parë pasi u shërua nga Covid-19, Domingo tha për gazetën italiane La Repubblica se akuzat ishin të rreme. "Kur e dija që kisha Covid, i premtova vetes se nëse do të dilja i gjallë, do të luftoja për të pastruar emrin tim. Asnjëherë nuk kam abuzuar me askënd. Do ta përsëris sa të jem gjallë.”

Për La Repubblica, Domingo tha se karriera e tij u dëmtua “jashtëzakonisht”: “Më dhemb të përshkruhem në këtë mënyrë. Kam lexuar edhe fyerje të rënda të ngritura kundër meje. Ata që i shkruajnë nënvlerësojnë lëndimin që mund të shkaktojnë. Ata flasin për mua sikur të jem gjykuar në gjykatë për akuza të sakta, por nuk është kështu.”

Domingo është shprehur se ai vazhdon të marrë oferta për të kënduar në teatrot "në të gjithë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara", por nuk dëshiron të vendosë asnjë "në vështirësi".

Përsa kohë ai nuk është hetuar nga një gjykatë, shumë shtëpi të famshme të operës në botë e kanë ftuar të performojë dhe në kalendarin e performancave të tij, lexohen emra si Kremlin Palace (Moskë, Rusi), Stone and Music Festival (Merida, Spanjë), Teatri Boshloi (Moskë), Wiener Staatsoper (Vienë, Austri), La Scala (Milano, Itali), Château de Versailles (Francë) etj.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Pla?cido Domingo (@placido_domingo)

Në Tiranë

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit njoftoi se më 15 shtator, Plácido Domingo do të performojë në një koncert që përkon me përurimin e ambienteve të reja të TKOB.

“Në këtë program do të kemi të ftuar si përfaqësuesit më ekselent të muzikës operistike botërore atë që sot është simboli i gjallë i muzikës operistike Plácido Domingo, i cili do të interpretojë dhe do të dirigjojë pjesë në koncertin tonë. Sopranoja Ermonela Jaho që është një nga përfaqësueset më të rëndësishme të muzikës operistike nëpër botë”, deklaroi Drejtoresha e Përgjithshme Zana Çela.

Në një postim në rrjete sociale, Domingo u shpreh se është i lumtur që do të jetë i pranishëm në ceremoninë e përurimit.

“Të dashur miq në Tiranë,

Jam i nderuar të këndoj në ceremoninë ‘Grand-Gala’ për inagurimin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Pas 5 vitesh, ky teatër më në fund do të vijë në jetë dhe do të rikthehet për të mirëpritur performanca koncertale, opera dhe baleti. Është një gëzim për mua që të jem me ju për këtë mbrëmje speciale me kolegë të mrekullueshëm. Shihemi më 15 shtator, për ta shijuar të gjithë së bashku skenën e re pas rikonstruksionit të plotë."

MOS I HUMBISNI