Çdo vend ka traditat dhe zakonet e tij tipike, por sot nuk do flasim për këto. Do rikujtojmë ca gjëra tipike të fëmijërisë/adoleshencës, por edhe të viteve të sotme. Nëse je rritur në Shqipëri, s’ka si të mos e gjesh veten tek të paktën gjysma e tyre.
#1 – Ke dëgjuar të paktën një(mijë) herë frazën: “Çohu Enver!”
#2 – Ke parë të paktën njëherë një prind që i bërtet dhe/ose i jep fëmijës një shuplakë. Nëse e ndalon, të thotë: “Është fëmija im, e di unë se ç’bëj!”
#3 - Një mbrëmje ti dhe vëllezërit, motrat, kushërinjtë keni fjetur të gjithë në tokë. Kur prindërit ju thoshin të flinit, ju kapte një e qeshur e pandalshme.
#4 – “Njerëzit s’kanë bukë të hanë, ti bën pushime” – Nuk ka foto personazhesh të famshëm shqiptar, ku ti nuk ke lexuar një koment të tillë.
#5 – Ka shumë pak ose aspak plazhe nudo në Shqipëri, por kur bëhet fjalë për bebet, ky rregull nuk aplikohet.
#6 – Ke parë të paktën një herë një fëmijë që nuk do të hyjë në det dhe një prind që e detyron të qëndrojë aty me patjetër. Kush pyet se ti ke ardhur me pushime dhe të qarat e një bebeje janë gjëja e fundit që do të dëgjosh?!
#7 – I ke thënë dikujt ose të kanë thënë: “E bukur, por unë ta gjeja pak më lirë”.
#8 – Ke bërë negociata (ose ke dëgjuar të tjerët të bëjnë) për një bluzë, si të ishte një kontratë e rëndësishme jete: Hë, sa do ma lësh këtë?
#9 – Je ose njeh dikë të afërt që nuk i pëlqen hunda që ka: Sigurohet që t’i duket “mirë” në foto dhe thotë se do ta bëjë shumë shpejt.
#10 – Mes shumë lojërash të tjera, ke luajtur të paktën njëherë lojën e pozave me këngën: “Kush bën poza më të bukura, do t’i çoj në Itali, do t’i blej fustan të ri...”. Pas ca vitesh ke kuptuar se kënga është ndoshta pak e çuditshme?! Po tekstshkruesi kush është?
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.