Për më shumë se 5 dekada, historia e muzikës rock e ka përshkruar Paul McCartney-n si njeriun që ndau The Beatles – një nga ndarjet më të komentuara dhe të analizuara në historinë e muzikës. Por McCartney, për herë të parë, u shpreh se nuk ishte ai.
Guardian shkruan se në një intervistë me BBC Radio 4, e cila do të transmetohet më 24 tetor, McCartney pyetet për ndarjen e grupit.
‘Oh, jo, jo. Nuk e nxita unë ndarjen. Ai ishte Johnny ynë. John hyri në dhomë një ditë dhe tha që po largohem nga Beatles. A nxit kjo ndarje, apo jo?”
Ai e kujtoi atë moment si “periudha më e vështirë e jetës sime”, veçanërisht sepse pas tetë vitesh bashkë, ata ende mund të krijonin “gjëra shumë të mira”.
Nëse John Lennon nuk do të hiqte dorë, udhëtimi muzikor i grupit mund të ishte shumë më i gjatë, pajtohet McCartney. "Ishte grupi im, ishte puna ime, ishte jeta ime, kështu që doja që të vazhdonte,” thotë ai.
"Çështja ishte se John ishte duke krijuar një jetë të re me Yoko. John gjithmonë kishte dashur të shkëputej nga shoqëria sepse, e dini, ai u rrit nga tezja e tij Mimi, e cila ishte mjaft shtypëse, kështu që ai gjithmonë kërkonte të çlirohej.”
Paqartësia se kush e shkaktoi ndarjen erdhi si pasojë e faktit që menaxheri i ri i grupit, Allen Klein, u tha atyre të heshtnin, teksa të përfundonte disa marrëveshje biznesi. McCartney e kujtoi atë moment si një atmosferë të pakëndshme dhe ndikimin e Allen Klein si të dyshimtë. McCartney u shpreh se u desh të mos tregonin se nuk ishin më grup, por ai ishte i pari që theu heshjen – dhe për këtë arsye mori pjesën më të madhe të fajit.
“Më duhej të luftoja dhe e vetmja mënyrë për të luftuar ishte të padisja Beatles të tjerë, sepse ata po shkonin me Klein. Dhe ata më falënderuan për këtë vite më vonë. Por unë nuk e nxita ndarjen. Ky ishte Johnny ynë që erdhi një ditë dhe tha ‘Po largohem nga grupi’.”
The Beatles, grupi i formuar në Liverpool në vitin 1960 nga John Lennon, Paul McCartney, George Harrison dhe Ringo Starr, konsiderohet si grupi më me ndikim i të gjitha kohërave. Ata sollën revolucion jo vetëm në muzikë, por u panë edhe si udhëheqës të të rinjve nëpër lëvizje sociokulturore.