Në një intervistë të fundit me British Vogue, Adele, ndër të tjera, tha edhe se ka investuar mbi 30 milionë dollarë në prona të patundshme në Los Angeles, por nuk mund ta përballonte jetesën në Londër.
33 vjeçarja, e cila ka një pasuri prej 177 milionë dollarësh, ka blerë 3 prona në zonën e njohur si "Hidden Valley", në 5 vitet e fundit.
"Llojin e shtëpisë që kam në LA, nuk mund ta përballoja kurrë në Londër", tha ajo për Vogue.
Fituesja 15 herë e çmimeve Grammy tha se kur jetonte në Londër, shumica e kohës së saj kalohej "në një makinë ose brenda një ndërtese", duke shtuar se ajo donte të ishte diku me "ajër të pastër dhe diku ku mund të shihte qiellin".
Sigurisht, deklaratat bënë që njerëzit të vërshonin në komente si:
"Adele me gjithë paratë e saj nuk përballoka dot një shtëpi në Londër? Oh sa keq më vjen", "Pra ajo ka 3 shtëpi në LA, gjithsej 30 milionë dollarë, por nuk mund të përballojë prona të patundshme në Londër?!" etj.
Në vitin 2016, Adele bleu shtëpinë e saj të parë në Beverly Hills për 9.5 milionë dollarë. Tre vjet më vonë, ajo bleu një shtëpi të dytë për 10.65 milionë dollarë ngjitur me të parën. Në maj, këngëtarja pagoi 10 milionë dollarë për një shtëpi me katër dhoma gjumi dhe katër tualete, që e bleu nga mikesha e saj Nicole Richie.
Të kombinuara, të tre shtëpitë shtrihen mbi 1673 metra katrorë.
Për ta krahasuar, apartamenti më i shtrenjtë në Londër, i cili shtrihet në 1673 metra katrorë, është i listuar për një shumë prej 247 milionë dollarësh.
Kënga e parë e Adele pas 6 vitesh, "Easy on Me", është planifikuar të publikohet të premten dhe albumi i saj pritet të dalë në fund të nëntorit.
Burimi: NY Post