KORONAVIRUS

Strategjitë e çuditshme, por edhe të mrekullueshme të Zelandës së Re për fushatën e vaksinimit

Shkruar nga Anabel

16 Tetor 2021

Strategjitë e çuditshme, por edhe të mrekullueshme të

Qeveria e Zelandës së Re po përdor një mori strategjish, trukesh dhe metodash, të çuditshme dhe të mrekullueshme gjithashtu, për të bindur njerëzit që të bëjnë vaksinën.

Këto përpjekje lidhen me fushatën për të vaksinuar edhe 20% e fundit të popullsisë që duhet të bëjë vaksinën. Numrat e infektimeve ditore janë në rritje dhe disa pjesë të vendit janë mbyllur, ndaj qeveria duket në një garë me kohën duke u përpjekur të rrisë normat e vaksinimit për të parandaluar përhapjen e virusit në një shkallë të gjerë.

Linja ajrore kombëtare, Air New Zealand, njoftoi këtë javë se do të shndërrojë një avion 787 Dreamliner në një klinikë të re vaksinimi, ku njerëzit do të kenë mundësi të konsumojnë diçka dhe të argëtohen gjatë fluturimit 30-minutësh pas vaksinës.

Gjithashtu, një shpërblim që ofruesit e kujdesit shëndetësor kanë menduar për ata që vaksinohen është pula. Në një supermarket Papatoetoe, punëtorëve iu premtua se do të largoheshin me një pulë të pjekur të nxehtë për çdo vaksinë. Diku tjetër, ishte një kosh i madh KFC për ata që ishin të uritur pas një vaksinimi gjatë drekës. Në Hamilton, njerëzit mund të merrnin hamburgerin e preferuar në McDonald's nëse tregonin se kishin kryer vaksinën.

Në Christchurch, njerëzve që vaksinoheshin do t'u ofroheshin peshk dhe patate të skuqura. Vende të tjera siguruan çokollatë, kuponë supermarketi ose akullore. 

Qyteti Nelson organizoi një ngjarje vaksinimi në hipodromin lokal të shpejtësisë, me bileta falas për ata që vaksinoheshin.

Disa klinika vaksinimi gjithashtu kanë ndërtuar “sensory room” – një hapësirë terapeutike me një sërë pajisjesh që u siguron qetësi njerëzve me nevoja të veçanta – për ta bërë përvojën më të mirë për njerëzit me autizëm, aftësi të kufizuara intelektuale ose çrregullime të përpunimit shqisor.

"Zelanda e Re ka qenë udhëheqëse në botë në mbajtjen nën kontroll të numrave të infektimeve, shtrimeve në spital dhe vdekjeve. Unë besoj se ne gjithashtu mund të jemi kryesorë në botë për vaksinat,” tha kryeministrja, Jacinda Ardern.

Nuk është e qartë nëse këto lloj stimulimesh janë të mjaftueshme për njerëzit që hezitojnë të bëjnë vaksinën. Megjithatë, për Zelandën e Re çdo përqindje e vogël duket se vlen. Deri të enjten, 81% e banorëve që duhet ta bëjnë vaksinën - ata të moshës 12 vjeç e lart - kishin bërë një dozë, ndërsa 59% ishin plotësisht të vaksinuar.

Burimet: Guardian, New Zeland Herald