Art & Libra

Shkrimtari Orhan Pamuk akuzohet për ‘fyerje’ të Turqisë: A do të përballet me burg?

Shkruar nga Anabel

16 Nëntor 2021

Shkrimtari Orhan Pamuk akuzohet për ‘fyerje’ të

Shkrimtari fitues i çmimit Nobel në Letërsi, Orhan Pamuk, po hetohet nga shteti turk për “fyerje” të themeluesit të Turqisë moderne dhe tallje me flamurin turk në romanin e tij të ri “Netët e Murtajës”.

Pamuk, i cili i mohon akuzat, e botoi librin në Turqi në mars. I vendosur në një ishull imagjinar osman gjatë një shpërthimi të murtajës bubonike në fillim të viteve 1900, ankesa e parë kundër librit u tha në prill, kur një avokat akuzoi shkrimtarin për nxitje të "urrejtjes dhe armiqësisë" duke fyer Mustafa Qemal Ataturkun dhe duke u tallur me flamurin e Turqisë. Një gjykatë e Stambollit vendosi të mos e çojë kërkesën përpara për shkak të mungesës së provave, por avokati që ngriti çështjen, Tarcan Ülük, apeloi vendimin dhe hetimi tani është rihapur.

Pamuk është ndjekur penalisht më parë për "fyerje" pasi kishte përmendur në një intervistë vrasjet e armenëve dhe kurdëve në vitin 1915. Këto akuza u hoqën në vitin 2006 - në të njëjtin vit kur Pamuk fitoi çmimin Nobel në Letërsi, i vlerësuar si një autor që "në kërkimin e shpirtit melankolik të qytetit të tij të lindjes ka zbuluar simbole të reja për përplasjen dhe ndërthurjen e kulturave".

Ligji 5816, sipas të cilit Pamuk tani po hetohet, synon të mbrojë "kujtimin e Ataturkut" nga fyerja e çdo qytetari turk. Nëse shpallet fajtor, Pamuk do të përballet me tre vjet burg.

Shkrimtari Orhan Pamuk akuzohet për ‘fyerje’ të

Shën.red. Mustafa Qemal Ataturku konsiderohet si një nga udhëheqësit politikë më të rëndësishëm të shekullit XX. Ai ndërmori reforma të cilat modernizuan Turqinë në një komb laik. Politikat e tij njihen si Qemalizëm dhe përfshijnë reforma politike, sociale, kulturore dhe fetare që ndanë Turqinë nga tradita osmane. Disa studiues kanë thënë se i ati i tij, Ali Riza, ishte shqiptar, pretendim që është mohuar nga të tjerë.

Në një deklaratë për agjencinë turke Bianet, Pamuk mohoi akuzat e fundit.

“Në ‘Netët e Murtajës’, për të cilat punova për pesë vjet, nuk ka asnjë mungesë respekti për themeluesit heroikë të shteteve kombëtare të themeluara nga hiri i perandorive apo për Ataturkun. Përkundrazi, romani është shkruar me respekt dhe admirim për këta liderë liridashës dhe heroikë,” tha ai.

Ai u mbështet nga organizatat e fjalës së lirë në mbarë botën, të cilat u kërkuan autoriteteve të mos e ndjekin penalisht.

“Orhan Pamuk është thesari kombëtar i Turqisë, një pasuri letrare fjalët e të cilit jehojnë në të gjithë globin dhe duhet të festohen si të tilla, megjithatë ai e gjen veten edhe një herë në shënjestër të shkrimeve të tij,” tha Burhan Sönmez, presidenti i shoqatës mbarëbotërore të shkrimtarëve PEN International. “Autoritetet turke kanë përdorur në mënyrë të përsëritur ligjet penale të shpifjes për t’u mbyllur gojën atyre që guxojnë të flasin dhe ky rast nuk bën përjashtim.”

Sipas PEN America, të paktën 25 shkrimtarë u burgosën vitin e kaluar nga qeveria turke, numri i tretë më i lartë në botë. Shoqata Turke e Botuesve u bëri thirrje gjithashtu prokurorëve të heqin dorë nga hetimi.

Burimet: Guardian, PEN America