$NOB

Dalina Buzi për $NOB: 'Sfida më e madhe ka qenë ky projekt'

Shkruar nga Anabel

23 Nëntor 2021

Dalina Buzi për $NOB: 'Sfida më e madhe ka qenë ky

Krijuesja dhe skenaristja e $NOB, Dalina Buzi e ftuar paraditen e sotme në "Vila 24", foli gjatë për serialin dhe gjithë pasiguritë që e shoqëruan që nga lindja e tij e deri në ditën e parë të transmetimit. Dalina, e quan $NOB si "sfidën e saj më të madhe" për shumë arsye.

"Sfida më e madhe ka qenë ky projekt. Unë kam qenë nxënëse, në fakt unë jam gjithmonë nxënëse, por këtu kam qenë edhe më shumë sepse m’u desh të kaloja nga fillorja në gjimnaz me një shpejtësi të jashtëzakonshme. Frika më e madhe e atij që shkruan është a do t’i lidhet me personazhet, a do kuptohet gjë.

Kam gjithë jetën që shkruaj, gazetaria më ka ndihmuar shumë, skenaret e spektakleve, televizioni... Dhe nëse e keni parë, seriali ka një ritëm të jashtëzakonshëm dhe ky është ritmi i dikujt që ka punuar në media dhe gazetari.

Pasigurinë e kam  pasur gjithmonë, qoftë edhe me një reportazh që mund të nxirrja në televizion, gjithmonë kam qenë e pakënaqur me gjërat sepse doja t’i kisha të gjitha nën kontroll, por kësaj here (me $NOB) nuk ndodhi kështu."

Seriali, i cili ka nisur transmetimin në Top Channel që prej 7 nëntorit është bashkëprodhim i Buzit me Nilor Film Production, bashkëpunim i cili përtej pasionit të përbashkët pati "kimi" gjer në fund.

"Me Nilor pata partneritetin më të mirë që kam pasur ndonjëherë në jetë, në të gjithë eksperiencën time. Unë kam bashkëpunuar edhe me njerëz të jashtëzakonshëm të medias si Ardit Gjebrea apo Dritan Hoxha i Top Media-s, por kësaj here bashkëpunimi ka qenë fantastik. Gjysmën e punës e ka bërë Nilor, regjisori Redi Treni ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe mua s’më është dashur të rrija në çdo set sepse kisha besim dhe ishim si shpirtra binjak në këtë projekt. Punë ekipi fantastike."

E pyetur pse zgjodhi të jenë të rinjtë fokusi i këtij seriali, Dalina u përgjigj:

“$NOB ka qenë brenda meje gjithmonë, por zgjedhja ka qenë si le të themi “e detyruar”. Ne na ndodhi një ndërprerje me Hostel by Anabel. Ajo u ndërpre befas dhe kishim dhe 2 episode për t’ju prezantuar sponsorave siç parashikohej në kontratë. Mendova pse të mos bëjmë diçka me të rinj, që të jemi në një linjë. Filluam me disa skeçe, skenare të vogla dhe papritur mori përmasa të tjera (dora e Zotit) duke dalë film. Plus të rinjtë janë në modë. Unë kam parë shumë filma, seriale si "Gossip Girl", "Elite", etj, por $NOB nuk ngjan me asgjë.

Për mua ka rëndësi si evolon personazhi. Si i trajtojnë ata ngjarjet që ju ndodhin gjatë jetës. Kështu është edhe jeta. S’është e rëndësishmja ndodhia: vdekja, martesa, ndarja. Për mua ka rëndësi si e zhvillon ti këtë që ndodhi. Çfarë bën ti me këtë, si e trajton. Seriali ka qenë autentik në formën time, si e shoh unë gjënë. Nuk e nisa as për thriller, nuk pashë as filmat e huaj. Personazhet i kanë bërë vetë zgjidhjet e tyre në mënyrën sesi zhvillohen."

E pyetur nëse në jetën e saj ka takuar dikë që ngjan me personazhet e $NOB, skenaristja thotë se "ka shumë gjëra nga vetja ime."

"E di çfarë ndodh në trurin e atij që shkruan? Ti vetëm merr nga personazhi, merr elemente të ndryshme. Atje ka shumë gjëra nga vetja ime. Kam marr shumë nga im shoq, sepse e njeh më shumë rrugën kurse unë jo. Janë disa shprehje, ca dialogje që vijnë nga fryma e përditshme. Nëse s'do të kisha luksin e ndihmës nga mami, vjehrra, apo bashkëshorti, unë nuk do të shkruaja. Shkrimi vetë do një lloj luksi edhe financiar dhe të shkruash. S'mund të kesh një biznes të rrish në zyrë dhe paralel të shkruash. Secili ka misionin e tij në jetë."



MOS I HUMBISNI