Një burrë që futi kontrabandë në Korenë e Veriut kopje të serialit të suksesshëm të Netflix, “Squid Game”, është dënuar me vdekje, pasi autoritetet kapën nxënës të shkollave të mesme duke parë shfaqjen, sipas Radio Free Asia (RFA).
Agjencia e pavarur e lajmeve RFA, me seli në SHBA, raportoi, duke cituar burime, se seriali ishte marrë nga Kina përmes pajisjeve USB dhe se kontrabandisti do të dënohet me vdekje nga skuadra e pushkatimit.
“Një student që bleu serialin u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa gjashtë të tjerë që ndoqën shfaqjen janë dënuar me pesë vjet punë të rëndë dhe mësuesit dhe administratorët e shkollave janë shkarkuar dhe përballen me dëbimin për të punuar në miniera të largëta,” raportoi RFA.
Në dhjetor 2020, Koreja e Veriut miratoi aktin "Eleminimi i Mendimit dhe Kulturës Reaksionare", i cili ndalon hyrjen dhe shpërndarjen e materialeve kulturore si filma, shfaqje, muzikë dhe libra. Akti ka për qëllim kryesisht parandalimin e përhapjes së ideve nga Koreja e Jugut dhe SHBA dhe ata që zbulohen se i shpërndajnë ose i konsumojnë mund të ndëshkohen.
Sipas raportimeve të përhapura, në prill të këtij viti një burrë u ekzekutua publikisht për shitjen e CD-ve që përmbanin materiale koreano-jugore.
Raporti i RFA (via Variety) sugjeron se ka një ankth të madh në publik për fatin e nxënësve të shkollave të mesme dhe se më shumë njerëz mund të përfshihen në hetim. Netflix nuk është i disponueshëm në Kinë, por "Squid Game" është piratuar gjerësisht, sipas raporteve.
Shënim: Koreja e Veriut drejtohet nga dinastina Kim, e cila qëndron në pushtet që prej vitit 1948. Koreja e Veriut funksionon si një shtet i centralizuar, pra me një parti. Kim Jong-un është lideri suprem i vendit dhe kryeson të gjitha strukturat qeverisëse. Sipas kushtetutës së Koresë së Veriut, ekzistojnë tri degë kryesore të qeverisjes: Komisioni i Çështjeve Shtetërore, Asambleja Supreme Popullore dhe Kabineti i Koresë së Veriut. Dikur, Koreja e Jugut dhe Koreja e Veriut ishin një komb i vetëm, i cili u pushtua nga Japonia në 1910. Kombi u nda në dy pjesë gjatë Luftës së Dytë Botërore në 1945 dhe u përfshi në Luftën Koreane më 1950-1953. Koreja e Veriut është shtet komunist me një parti, ndërkohë që Koreja e Jugut funksionon me tre degë kryesore qeverisëse: pushteti ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor. Në Korenë e Jugut presidenti është autoriteti më i lartë në vend, i ndjekur nga kryeministri dhe ministrat.