KORONAVIRUS

Ministrja e Shëndetësisë flet për masat anti-Covid dhe vaksinimin

Shkruar nga Anabel

2 Dhjetor 2021

Ministrja e Shëndetësisë flet për masat anti-Covid dhe

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në fjalën e fundit në Kuvend, theksoi sërish rëndësinë e vaksinës për të pavaksinuarit, njoftoi se personat mbi 18 vjeç mund të bëjnë dozën e tretë të vaksinës dhe vuri në dukje se pjesa dërrmuese e të shtruarve në spital janë të pavaksinuar.

“E teksa janë duke u vlerësuar masat që duhen marrë, si edhe forcën goditëse të një vale të re potenciale për shkak të variantit Omicron, sigurisht në përputhje me rekomandimet e OBSH për të mos kaluar në kufizime drastike, të gjithë ekspertët, kudo në botë rekomandojnë të vetmen mbrojtje që ka bota: vaksinën” – tha ajo.

Përsa u përket keqinformimeve dhe lajmeve të rreme, ministrja tha, “siç ndodh gjithmonë, të vërtetat sidomos kur bëhet fjalë për shkencën, i gjejmë tek shifrat. Një shifër na thotë se 94% e pacientëve të shtruar në spitalin infektiv, janë të pavaksinuar!”

Ajo u ndal edhe te vaksinimi te bashkitë në vend.

“Në Shqipëri, 47 % është mbulesa vaksinale me të paktën një dozë për popullatën target mbi 16 vjeç. I referohem ketu shifrave për grupin që kemi synim të vaksinojmë sepse do të doja këtu të jepja dhe një informacion tjetër që është po kaq i rëndësishëm, nga sot çdo qytetar +18 vjeç mund të bëjë dozën e tretë të vaksinës nëse ka kaluar 6 muaj nga aplikimi i dozës së dytë. 25 bashki e kanë mbulesën vaksinale mbi 50%, siç është Tirana e cila po tregon një ritëm të mirë vaksinimi gjatë kohëve të fundit, po ashtu edhe Fieri, Lushnja, Gjirokastra, Puka, Tropoja dhe Mirdita.”

Në lidhje me masat në vijim, Manastirliu u shpreh se “koha dhe situata epidemiologjike do të diktojnë edhe masat në vijim, që padyshim do të rivlerësohen, do të rishikohen, duke u udhëhequr, ashtu siç kemi bërë që prej fillimit të kësaj pandemia, nga 1 dhe vetëm 1 interes: shëndeti dhe jeta e qytetarëve tanë”.