Artisti Maurizio Cattelan, i cili në vitin 2019 u komentua gjerësisht për ekspozitën me bananen e ngjitur në mur e cila u shit për 120,000 dollarë, është rikthyer sërish në Art Basel (panair ndërkombëtar i artit) këtë herë me një tufë me pëllumba jo të gjallë.
Të vendosur në skajin e mureve në galerinë e artit Perrotin në Miami Beach janë 56 zogj. Një pjesë titullohet “Fantazma” dhe kushton 350,000 dollarë. Grupi tjetër i zogjve kushton 210,000 dollarë.
“Pëllumbat po ‘vëzhgojnë’ nga lart lëvizjet e vizitorëve poshtë, duke sugjeruar një kufizim të ndryshëm midis brenda dhe jashtë, asaj që shihet dhe kush po sheh. Jetojmë në një shoqëri ku jemi nën mbikëqyrje të vazhdueshme,” tha artisti për The Art Newspaper këtë javë.
"Dhe unë i titullova ‘Fantazma’ ndoshta vetëm sepse duket se po na mbikëqyrin dhe ne kurrë nuk e dimë nëse janë miq apo armiq,” shtoi ai.
Nuk është hera e parë që Cattelan provokon. Në vitin 2019, banania e famshme, e titulluar si ‘Komedian’, u komentua në gjithë botën. “Për mua, ‘Komediani’ nuk ishte shaka; ishte një koment i sinqertë dhe një reflektim për atë që vlerësojmë,” u shpreh ai.
“Në panairet e artit mbretëron shpejtësia dhe biznesi, ndaj e pashë kështu: nëse më duhej të isha në një panair, mund të shes një banane siç shesin të tjerët pikturat e tyre. Mund të luaja brenda sistemit, por me rregullat e mia.”
Në vitin 2016, artisti vendosi një tualet prej ari 18 karat në muzeun e New York-ut. Krijimi i tij mbante një titull provokues – “Amerika”.