
Në përditësimin e fundit për situatën epidemiologjike, Komiteti Teknik i Ekspertëve bëri me dije se situata në vend mbetet pak a shumë e qëndrueshme dhe për momentin masat anti-Covid nuk do të ndryshojnë.
Kryetarja e Komitetit, Mira Rakacolli u shpreh se në vend mbizotëron varianti Delta dhe janë konfirmuar rastet e para me Omicron. Referuar të dhënave të infektimeve ditore dhe 2-javore, masat anti-Covid nuk do të ndryshojnë, me përjashtim të natës së ndërrimit të viteve, ku nuk do të ketë kufizim për orën policore.
Në mbrëmjen e 31 dhjetorit, qytetarët do të lejohen të lëvizin edhe pas orës 23:00 (ora policore është 06:00 e mëngjesit deri në 11:00 të mbrëmjes).
“Të jemi të përgjegjshëm në zbatim të rekomandimeve për të gjithë ata që do të festojnë me familjet e tyre të mëdha ose në ambientet e tjera, të respektohen standardet e rekomanduara, të evitojnë grumbullimet dhe të përdorin maskat në të gjitha ambientet ku janë të rekomanduara. Ora policore do të vazhdojë të mbetet e njëjtë, me përjashtim të natës së ndërrimit të viteve.”
Rakacolli theksoi se “ora policore nuk ka lidhje me organizimin e aktiviteteve” për fundvit.
“Ora policore ka lidhje me lejimin e lëvizshmërisë së njerëzve përgjatë gjithë asaj nate duke menduar që njerëzit do të duan të jenë së bashku me familjet e vogla, fëmijët do duan të takojnë prindërit dhe mund ta kalojnë Vitin e Ri së bashku. Pra, nuk ka lidhje me organizimin e aktiviteteve. Aktivitetet do të jenë të lejuara sipas të gjitha standardeve të lejimit të grumbullimeve të personave.”