KORONAVIRUS

OBSH optimiste: 2022-shi mund të shënojë fundin e pandemisë

Shkruar nga Anabel

1 Janar 2022

OBSH optimiste: 2022-shi mund të shënojë fundin e pandemisë

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është optimist përsa i përket fundit të pandemisë në vitin 2022, duke thënë se bota ka "mjetet për t'i dhënë fund kësaj fatkeqësie" edhe pse rastet e reja të përditshme të Covid në mbarë botën kanë arritur rekorde të reja.

Megjithatë, parashikimi optimist i Drejtorit të Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, të cilin e postoi në LinkedIn, u shoqërua me një paralajmërim: “Sa më gjatë të vazhdojë pabarazia [e shpërndarjes së vaksinave], aq më gjatë do të vazhdojë pandemia.”

"Nëse i japim fund pabarazisë, i japim fund pandemisë dhe i japim fund makthit global që kemi jetuar të gjithë. Dhe kjo është e mundur," shtoi ai.

Shefi i OBSH-së tha se do të punonte në bashkëpunim me qeveritë për t'i dhënë përparësi dërgesave të vaksinave për nismat globale, si COVAX dhe AVAT, me objektivin e vaksinimit të 70% të njerëzve në të gjitha vendet deri në mesin e vitit 2022.

“Pas dy vitesh, ne tani e njohim mirë këtë virus. Ne i dimë masat e provuara për të kontrolluar transmetimin: përdorimi i maskës, shmangia e turmave, ruajtja e distancës fizike, praktikimi i higjienës së duarve dhe të frymëmarrjes, hapja e dritareve për ventilim, testimi dhe gjurmimi i kontaktit. Ne e dimë se si ta trajtojmë sëmundjen që shkakton dhe të përmirësojmë shanset e mbijetesës për njerëzit që vuajnë nga sëmundje të rënda. Me të gjitha këto mësime dhe kapacitete, mundësia për ta kthyer për mirë këtë pandemi është në dorën tonë.”