Frika nga Omicron dhe rritja e të infektuarëve gjatë ditëve të fundit, ka rritur fluksin e njerëzve që kërkojnë të vaksinohen. Vetëm pranë Air Albania-s raportohet të jenë paraqitur brenda një dite më shumë se 300 persona, të cilët morën dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19.
Fluks qytetarësh që duan të vaksinohen është vënë re nëpër të gjithë qëndrat shëndetësore që prej ditëve të para të janarit, ku është rritur ndjeshëm numri i të infektuarëve me Covid-19 dhe gjithashtu me grip sezonal.
Nga ana tjetër, rastet me Flurona, pra persona të infektuar me Covid-19 dhe me grip sezonal janë shtuar, por gjendja e tyre është e qëndrueshme.
Sipas mjekëve, infektimet e fundit janë për shkak të festave të fundvitit, pasi sado të kujdesshëm të jenë njerëzit, sërish nuk është e mundur që masat kufizuese të zbatohen 100%.
Temperatura e lartë, dhimbja e kokës, ashpërsimi i fytit dhe plogështia e trupit janë disa nga simptomat e përgjithshëme të rasteve që janë konstatuar me Flurona, por fatmirësisht ky lloj varianti nuk sjell komplikime të rënda në krahasim me të tjerat.
Burimi: Euronews, Top Channel