Finalja e $NOB ishte dramatike, me shumë të vërteta që dolën në sipërfaqe, sekrete të errëta u zbuluan dhe pothuajse të gjithë u ndjenë të kërcënuar.
Shënim: Artikulli zbulon detaje të rëndësishme nga episodi final (spoilers)!
Ndërkohë që nëpër media diskutohet ngjarja në kompaninë e Petritit, Kristela ndihmon Albanin të arratiset duke rrezikuar emrin dhe karrierën për të. E gjendur në befasi, Kristela duket se nuk ka zgjidhje tjetër. Ajo refuzon të dëshmojë në polici dhe arratiset bashkë me Albanin në Gjirokastër, një vend që e urren – sepse i kujton lidhjen e të ëmës, Evës, me Paulinin – por mendon se askujt nuk do t’i shkojë ndërmend se ajo fshihet atje.

Më në fund zbulohet edhe kush është Luisi në të vërtetë. Në një dhomë hoteli, ai i rrëfen Xhesikës se ai dhe e ëma u larguan drejt Barit me gomone; qëndronte vetëm teksa e ëma rrinte në shtëpi me një italian, i tregon se ajo dhunohej nga “i dashuri stabël” para se t’i thotë se e ëma ishte prostitutë dhe fëmijëria e tij ka qenë e trishtë. Me një qetësi të frikshme, Luisi tregon se të ëmën ia kanë vrarë. Ai zbulon se i ati është Iliri, babai i Endit, të cilin e ka takuar për herë të parë pas 18 vitesh.

Në historinë që i tregon Xhesit, zbulohet se Iliri dhe e ëma e Luisit u dashuruan vite më parë, por askush nuk e donte sepse ajo ishte rome. “Një pjesë e imja e falenderon, pjesa tjetër e urren. Dualizëm i lezetshëm,” thotë ai për raporton me të atin, një raport që duket se lidhej vetëm me pagesa mujore dhe takime të rralla, derisa lindi Endi. Sikur të mos mjaftonte ky informacion shokues për Xhesikën, dy burra ia behin papritur në dhomë dhe e lidhin. “Endi më tha që ti je më e pambrojtura nga të gjitha dhe kështu që je më e thjeshta për t’u kontrolluar. Më fal,” i thotë ai para se ta lërë në dhomë të lidhur, si masë sigurie nëse do t’i ndodhë gjë atij.
Misioni i Luisit është të gjejë të atin e djalit që ka vdekur në aksidentin, të cilin zbulohet se e ka shkaktuar Bojkeni kur ishte vetëm 15 vjeç, ngjarje për të cilën askush nuk ka folur sepse asnjë media dhe rajon policie nuk vepronte kundër Petritit.

Xhesi ia del që t’i çojë Francit vendodhjen dhe ai niset ta shpëtojë, duke kërkuar ndihmën e Tesës. Tesa dhe Franci ia dalin që ta shpëtojnë Xhesin, por papritur, Tesa merr vesh një informacion shokues. Paulini ka vrarë Gentin?

Albani dhe Kristela duket se po shijojnë disa momente qetësie rrugëve të Gjirokastrës në mesin e një kaosi që ka përfshirë shumë njerëz. Por nuk do të zgjasë shumë, sepse Eva mbërrin me helikopter për t’i marrë të dy. Biseda e saj me të ëmën është e mbushur me urrejtje dhe përbuzje, sa Eva duket e pafuqishme. Mjafton që Kristela të niset drejt Tiranës.

Kristela merr vesh që Albani dhe Tesa kanë qenë të lidhur dhe nuk e pret mirë këtë informacion. Të tre gjenden në rajon, në përpjekje për të dëshmuar kundër Paulinit. “Doja ta mbroja” i thotë ai pasi Kritestela e pyet pse nuk i ka treguar. Teksa bisedojnë, Albani mundohet të bindë Tesën që të mos dëshmojë kundër Paulinit sepse nuk ka fakte. Sërish ajo përmend Gentin. “A ka mundësi, për herë të fundit, të mos ma përmendësh më Gentin? Ai është halli yt, jo i imi. Fiksoje mirë. Unë jam Albani. Shko varrose njëherë Gentin, se boll e mbajta mbi kurriz,” i thotë ai.

Paulini dyshon se Admiri po thur një komplot kundër tij dhe rezulton e vërtetë, por Paulini është një hap para edhe këtë herë. Paulini dhe Luisi takohen dhe plani i këtij të fundit është që të vrasë Paulinin në përpjekje për të mbrojtur të atin. “Iliri po të përdor si ushtar, nuk e ke kuptuar ende. Babai yt e ka zgjedhur se kë ka bir,” i thotë Paulini. Ai i propozon që të jetë partner me të në biznesin e kanabisit medicinal, gjë që Luisin e tundon...dhe pranon.
Franci nuk heq dorë. Ai ka punë me Luisin. Pasi ka arritur ta mashtrojë, e merr peng. “Paulin, u kry,” thotë ai.

Seria 10 mbyllet me një skenë që lë shumë vend për pikëpyetje. Një grua misterioze dhe një djalë shfaqen. Ajo nuk njihet, por djali është Genti. “Kam frikë i thotë ajo se ti do shkosh si Fisnik dhe do kthehesh si Gent.” Genti është gjallë dhe ai punon ende me Paulinin. Genti planifikon të kthehet. Pse?

Shumë pikëpyetje do të marrin përgjigje në sezonin e dytë: Pse u shtir Genti si i vdekur? Kush është gruaja misterioze që shfaqet në krah të tij? Kush e urdhëroi vrasjen e vëllait të Paulinit? Po Kristaqi, babai i Xhesit, në çfarë punësh është përfshirë? Cili ishte qëllimi i drekës që planifikoi Eva? Po Petriti, kur do të shfaqet? A do të rikthehet Genti? Nëse po, në ç’mënyrë?
Nëse e humbët, mund ta ndiqni finalen e sezonit të parë të $NOB të mërkurën, ora 23:30 në Top Channel. Në $NOB.al mund t'i shihni të gjitha seritë me titra shqip dhe anglisht, pa asnjë ndërprerje publicitare.