$NOB

Sezoni 2 i $NOB: Çfarë dihet deri tani

Shkruar nga Anabel

10 Janar 2022

Sezoni 2 i $NOB: Çfarë dihet deri tani

$NOB, bashkëprodhim i Anabel Entertainment dhe Nilor Film, përfundoi sezonin e parë të përbërë nga 10 seri që u transmentuan në Top Channel. Seriali, krijuar dhe me skenar nga Dalina Buzi dhe regji të Redi Trenit, përfundoi në mënyrën më të paparashikueshme të mundshme. Çfarë pritet të ndodhë?

A do të ketë një $NOB 2? Në një mesazh falenderues për të gjithë shikuesit e $NOB dhe bashkëpunëtorët, duke nisur nga bashkëthemeluesi i Nilor Film dhe bashkëproducenti, Ols Abazi, e deri te sponsorat, skenaristja Dalina Buzi u shpreh se puna për $NOB vazhdon. Edhe në një intervistë të mëparshme në “Wake Up” ajo dhe regjisori Redi Treni zbuluan se do të ketë një $NOB 2, puna për të cilin ka nisur.

Pyetja më e shpeshtë në komente dhe në inbox-in e @anabel.entertainment, @snob_tvseries dhe @nilorfilm, “Kur del sezoni i dytë?”, nuk ka ende një përgjigje. Megjithatë, ndonëse për momentin nuk e kemi ende një datë zyrtare, dimë që sezoni i dytë premton të jetë mbërthyes.

Çfarë dihet deri tani? Duke analizuar mënyrën se si shkuan ngjarjet, subjekti i sezonit të dytë pritet që t’i japë përgjigje shumë pyetjeve. Ja disa nga temat kryesore:

Shënim: Artikulli në vijim zbulon detaje të rëndësishme nga episodi final (spoilers)!

1. Pse u shtir Genti si i vdekur?

Gjatë gjithë sezonit, personazhi i Gentit (Roerd Toçe)– një djali të ri që la ushtrinë dhe u përfshi në punët e një bande si i infiltruari i një ministri të brendshëm – u paraqit si i vdekur. Kujtimi i tij, si një hije që e ndjek pas, ndikoi në shumë marrëdhënie, duke përfshirë raportin e të ëmës me Tesën dhe historinë e dashurisë së kësaj të fundit me Albanit. Në episodin e fundit, Paulini dëgjohet të flasë në telefon me dikë i cili e pyet se si është Tesa. Dyshimet e disa shikuesve u konfirmuan në fund: Genti është gjallë! Nga biseda që bën me një grua misterioze (Vjosa Bazi), kuptohet se ai bashkëpunon ende me Paulinin dhe është i përfshirë në biznese të paligjshme. Inskenimi i vdekjes së tij mbetet një enigmë që do të marrë përgjigje në sezonin e dytë.

Sezoni 2 i $NOB: Çfarë dihet deri tani

2. Kush është gruaja misterioze?

Diçka e lidh Gentin me bjonden misterioze. Ai e pyet “Po ti, edhe sa kohë mund të rrish larg atij?”. Larg kujt? Bëhet fjalë për një marrëdhënie dashurie? Një partner biznesi? Një fëmijë? Kush është “ai”?

3. Kush e urdhëroi vrasjen e vëllait të Paulinit?

Që prej fillimit, qëllimi kryesor i Paulinit është që të zbulojë se kush e ka urdhëruar vrasjen e vëllait. “Unë me vëlla të vdekur, nuk do të jem kurrë barazim me ju shëndoshë e mirë,” i thotë ai kushëririt, Zefit. Deri tani, dihet vetëm që Petriti, oligarku, pretendon që nuk është ai vrasësi. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kush ka gisht?

4. Çfarë ka bërë i ati i Xhesit?

I ati i Xhesit, Kristaqi, një prej ndërtuesve më të fuqishëm në vend, duket se ka lidhje me diçka, në dukje e errët. Jo më kot, Eva organizon një darkë me të. Edhe në serinë e fundit, kur i duhet ta anulojë për shkak të Kristelës, i thotë Paulinit për darkën me Kristaqin dhe ai i përgjigjet se “do t’i vijë ora edhe atij”. Ora për çfarë?

5. Ku është e ëma e Xhesit?

Xhesi u përball me ndjesinë e braktisjes që e vogël, kur e ëma u arratis me një person nga Kosova. Të paktën këtë ka thënë Xhesi. Shumë pak detaje dihen për jetën e saj, sepse Xhesika ka ndërprerë çdo kontakt. Nuk përjashtohet mundësia që të shfaqet në sezonin e dytë.

6. A do të dalë Petriti?

Emri i Petritit është përmendur pothuajse në çdo seri, por fytyra e tij nuk ka dalë kurrë. Kjo duket të jetë një zgjedhje e qëllimtë, për të krijuar misterin e figurave të tilla – njerëzve të pushtetshëm që zotërojnë biznese gjigante të shumta, por që shfaqen rrallë ose asnjëherë. Duke marrë parasysh zhvillimin e ngjarjeve (përfshirja e Paulinit si partner me të në biznesin e kanabisit medicinal) do të pasohet nga zbulimi i fytyrës së Petritit, gjë për të cilën shikuesit kanë goxha kuriozitet.

Sezoni 2 i $NOB: Çfarë dihet deri tani

7. Tesa “varrosi” Gentin; çfarë ndodh tani që ai është gjallë?

Pas vitesh që “mbante mbi supe” imazhin dhe pasojat e zgjedhjeve të Gentit, Tesa djeg foton e tij – një veprim që simbolizon ndoshta shkëputjen nga hija e të vëllait, pranimin e faktit që ai ka vdekur. Mirëpo në fund të episodit final, Genti thotë se do të kthehet dhe natyrshëm lind pyetja nëse familja do ta marrë vesh të vërtetën.

Këto janë vetëm disa nga temat kryesore ku duket se do të përqendrohet sezoni i dytë, mirëpo të tjera pikëpyetje presin përgjigje: Ku iku Sara? A do të vazhdojë raporti Kristela-Alban? A do të pendohet Albani për zgjedhjet e kaluara? Sa rrezikohet Kristela? Çfarë do të bëjë Tesa tani që mendon se Paulini ka vrarë Gentin? Çfarë mund të ndodhë me Luisin? A do të kthehet Iliri dhe Endi?

Nëse e humbët, mund ta ndiqni finalen e sezonit të parë të $NOB të mërkurën, ora 23:30 në Top Channel. Në $NOB.al mund t'i shihni të gjitha seritë me titra shqip dhe anglisht, pa asnjë ndërprerje publicitare.