$NOB

Kompozitorja e $NOB për serialin: Nga momenti më i vështirë te skena e preferuar

Shkruar nga Anabel

13 Janar 2022

Kompozitorja e $NOB për serialin: Nga momenti më i vështirë

Dashuria, tradhtia, zhgënjimi, ankthi dhe dhuna ishin disa nga temat që frymëzuan kompozitoren e serialit $NOB, Klodeta Buzin, e cila tregoi për Anabel për përvojën e saj në serial dhe gjithë procesin e krijimit të muzikës.

“Seriali $NOB është kompozuar me 2 pjesë. E para ka qenë për pilotin në 2020, ku kisha lexuar skenarin e 2 serive të para dhe duhet të imagjinoja se çfarë muzike do t’i shkonte episodeve. Më vonë, më erdhën dhe skenarët e episodeve të tjera. Skenarin e kam lexuar si libër - nga ato librat që më marrin frymën dhe nuk i heq nga dora derisa ta mbaroj,” u shpreh Buzi, themeluese e shkollës artistike “Akademia Hollywood”.

Kompozitorja e $NOB për serialin: Nga momenti më i vështirë
Klodeta Buzi

Shumë karaktere po ndryshonin qasjen dhe po rriteshin nga episodi në episod dhe kompozitores i duhej që të krijonte muzikë që të përcillte emocionet që secili prej tyre po përjetonte.

“U nisa si fillim të ndërtoja muzikë për emocionet që kishte në serial. Tema e dashurisë, tradhëtisë, zhgënjimit, ankthit, dhunës, etj. Ajo që më ndihmoi më shumë, ishte dhe takimi me Dalinën dhe Redin të cilët më dhanë të gjitha idetë kyçe që ata donin për muzikën që do i shoqëronte serialit të tyre. Këto ishin përpara se të mbaronin xhirimet dhe ku unë përgatita diçka tek rreth 40 tema të cilat i kaluam për t’i parë nëse do të funksionin apo jo," tha ajo.

Procesi i “spotting” – termi që përdoret për vendosjen e muzikës dhe efekteve zakore brenda filmit – së bashku me krijuesen dhe skenaristen Dalina Buzi dhe regjisorin Redi Treni e ndihmoi kompozitoren që të kuptonte se çfarë duhej të nxirrte në pah përmes muzikës.

"Për shembull në një skenë me Xhesikës dhe Francin duhet të nënvizoja ndjesitë që Xhesika po përjetonte. Të gjitha fjalitë dhe sugjerimet e Dalinës dhe Redit ishin diamante të cilat duhej vetëm të përpunoheshin. Besoj se ato momente kanë qenë ku e kam ndjerë veten më të karikuar, pasi ata të dy e dinë shumë mirë se çfarë duan dhe çfarë emocioni duan të përcjellin. Unë kisha vetëm pyetjen: ‘Çfarë doni që të ndjejë publiku në këtë moment?’.”

Nuk është hera e parë që Klodeta Buzi bashkëpunon me Anabel Media. Në vitin 2017, ajo kompozoi për mini-serialin “Kemi Njëri-Tjetrin” dhe gjithashtu ka punuar për “Hostel by Anabel”, “Kosherja” dhe “Love Likes Tirana”. E pyetur se si është që të bashkëpunon me motrën, krijuesen dhe skenaristen, Dalina Buzi, ajo u shpreh:

“Të them të drejtën si kompozitore e medias vizuale, unë me Dalinën kam bashkëpunuar vetëm. Nuk kemi qenë motra gjatë punës. Për mua ajo ka qenë krijuesja dhe unë isha e punësuara. E vështirë ka qenë për mua qasja me Nilor, pasi po prezantohesha si motra e saj dhe do më duhej që të dilja jashtë asaj korace në ambientin e punës."

A ka kompozitorja disa skena të preferuara? Po.

“$NOB ka shumë skena dhe shumë muzikë, por e preferuara ime në fillim ka qenë pjesa e darkës që u shtrua në serinë e parë. Ka një muzikë tip lounge që shoqëron kamerat që vijnë nga sipër në tavolinën e shtruar në oborr. Kisha thuajse 16 vite që nuk kisha krijuar më muzikë lounge dhe house dhe kuptova që më kishte marrë malli shumë. Në fakt ajo çfarë ndodh shpeshherë është që kisha dy ose tre tema që mezi prisja t’i vendosja në film dhe më është dashur shumë durim derisa i erdhi momenti për t’u vendosur. Njëra është tema e mamit dhe Tesës - është një vepër me piano e ngadaltë që të merr frymën. Tjetra ka qenë jo kompozim, por adaptim i invencionit në re minor të Bach. Në fakt që kur lexova skenarin m’u kujtua ai invencion dhe shumica e kolonës zanore është ndërtuar në re minor prej atij invencioni, dhe më në fund ia gjeta vendin në momentin kur Paulini përballet me Tesën dhe Sarën në sallën e kuajve. Është momenti ku dukshëm dikush ka një informacion dhe një fuqi mbi tjetrin," u shpreh ajo.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by $NOB (@snob_tvseries)

Ndërsa më e vështira për t’u realizuar ka qenë skena kur Albani vraponte për t’u fshehur në pyll.

 “Kisha realizuar 2 tema të ndryshme të cilat ishin shumë të fuqishme, paçka se unë isha kënaqur duke vendosur pa fund perkusione dhe goditje të mëdha, dhe si përfundim shkrova dhe një tjetër, por përfundoi të kishte temën kryesore të serialit,” u shpreh kompozitorja.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by $NOB (@snob_tvseries)

$NOB mbylli me sukses sezonin e parë dhe Buzi theksoi se ndihet krenare për gjithë punën e ekipit. “Unë jam krenare kur shoh se sa mirë u shkon karaktereve dhe emocioneve të tyre muzika. Jam krenare për punën e bërë dhe të them të drejtën nuk isha gati për këtë pushim - po më shijonte shumë puna e deritanishme. Krenare në fakt jam ndjerë kur për herë të parë kam parë emrin tek Top Channel - thuajse një sekondë. Këto gjërat e vogla që na impresionojnë,” përfundoi ajo.

Seriali, bashkë-prodhim i Anabel Entertainment dhe Nilor Film, u transmetua në Top Channel. Në $NOB.al mund t'i shihni të gjitha seritë me titra shqip dhe anglisht, pa asnjë ndërprerje publicitare.