KORONAVIRUS

Omicron mund të nënkuptojë fundin e pandemisë në Europë, thotë OBSH

Shkruar nga Anabel

24 Janar 2022

Omicron mund të nënkuptojë fundin e pandemisë në

Varianti Omicron e ka zhvendosur pandeminë e Covid-19 në një fazë të re dhe mund t'i japë fund asaj në Europë, tha drejtori i OBSH-së për Europën.

“Është e besueshme që rajoni po shkon drejt një faze që është fundi i pandemisë,” tha Hans Kluge për Agence France-Presse, duke shtuar se Omicron mund të infektojë 60% të europianëve deri në mars.

Sapo rritja e Omicron që do të përfshirë të gjithë Europën të ulet, "do të ketë për mjaft javë dhe muaj një imunitet global, ose falë vaksinës ose sepse njerëzit kanë imunitet për shkak të infeksionit.”

“Ne parashikojmë që do të ketë një periudhë qetësie para se Covid-19 të mund të rikthehet në fund të vitit, por jo domosdoshmërisht që të rikthehet pandemia”, tha Kluge.

Shkencëtari më i njohur amerikan Anthony Fauci shprehu një optimizëm të ngjashëm të dielën, duke thënë në emisionin "This Week" në ABC News se me rastet e Covid-19 që u ulën "mjaft ashpër" në pjesë të ndryshme të Shteteve të Bashkuara, "gjërat duken mirë".

Zyra rajonale e OBSH-së për Afrikën tha gjithashtu javën e kaluar se rastet e Covid kishin rënë në atë rajon dhe vdekjet ishin në rënie për herë të parë që kur vala e katërt e virusit e dominuar nga Omicron arriti kulmin e saj.

Varianti Omicron, për të cilin studimet kanë treguar se është më ngjitës se Delta, por përgjithësisht çon në infeksion më pak të rëndë sidomos për njerëzit e vaksinuar, ka rritur shpresat e shumëpritura se Covid-19 ka filluar të kalojë nga një pandemi në një sëmundje endemike më të menaxhueshme si gripi sezonal.

Por Kluge paralajmëroi se ishte ende herët për ta konsideruar Covid-19 endemik.

“Flitet shumë për mjetet endemike, por me ‘endemike’ do të thotë se është e mundur të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Ky virus na ka befasuar më shumë se një herë kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha Kluge.

Me përhapjen kaq të gjerë të Omicron, variante të tjera mund të shfaqen ende, paralajmëroi ai.