“Unë u frymëzova pak nga vitet ’20 – pendët, thekët,” tha për Vogue drejtoresha artistike e Chanel, dizajnerja Virginie Viard. “Është një koleksion veror, kështu që është shumë i freskët, madje edhe me qëndisje.”
Ndryshe nga i ndjeri Karl Lagerfeld, i cili adhuronte shfaqjet madhështore, Viard ka një qasje më minimaliste. Ajo bashkëpunoi me artistin Xavier Veilhan për të ndërtuar skenën. Seti për pasarelën ishte elegant dhe minimalist dhe përfshinte vendkalime me kompensatë.
Në vitet 1920, pas trazirave ekonomike dhe sociale të Luftës së Parë Botërore, pati një shpërthim të papritur të energjisë krijuese. Ikona Coco Chanel asokohe stiloi pantallonat e veta bazuar te ato të burrave, por të përshtatura sipas formave të saj. Chanel gjithashtu stiloi pantallonat dhe çizmet e kalërimit.
Shfaqja nisi me Charlotte Casiraghi, e cila hyri me kalë dhe bëri një xhiro në pasarelë, gjë që u pëlqye nga disa dhe u kritikua nga të tjerë.
Në koleksionin e fundit, kryefjala ishte xhaketa ikonike e Chanel me copë “tweed” (pëlhurë me strukturë të butë, e bërë me thurje të thjeshtë).
Koleksioni (fotot via Vogue)