Së fundmi, është pothuajse e pamundur që të qëndrosh në rrjete sociale, sidomos Instagram dhe TikTok, dhe të mos ndeshesh me historinë e profesorit Lulzim Paci, i cili shfaqet herë duke kërcyer, herë i përlotur e në një tjetër rast duke folur për vlerat kombëtare. Për çfarë bëhet fjalë?
Në përfundim të procesit mësimor, jashtë mureve të shkollës, Lulzim Paci, një mësues i lëndës së biologjisë në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Vushtri të Kosovës, i kushtonte pak kohë TikTok-ut dhe publikonte video, kryesisht duke kërcyer valle tradicionale shqiptare, sepse e shihte të rëndësishme që të promovonte për brezin e ri vlerat kombëtare. Mirëpo videot e tij duke kërcyer nuk u pritën mirë nga një pjesë e njerëzve, të cilët shpërthyen në ofendime, gjë që mund të bëhej shkak për pushimin nga puna.
Deputetja e Lëvizjes VetëVendosja, Fjolla Ujkani, ishte ndër të parat që kërkoi marrjen e masave për mësuesin. “Të dashur qytetarë të Vushtrrisë, në veçanti juve nxënës të gjimnazit ‘Eqrem Çabej’- Vushtrri, dhe juve prindër. Ditëve të fundit njëri nga profesorët e gjimnazit ‘Eqrem Çabej’ është duke publikuar video të tij, të cilat janë veprime të pahijshme dhe degjeneruese. Andaj, i bëj thirrje drejtorit të gjimnazit dhe drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, që të marrin masa ndaj profesorit në fjalë. Sepse veprimet tij përmes videove lënë të kuptojnë, që një profesor i tillë nuk mund të arsimojë dhe edukojë kategorinë më të çmueshme të shoqërisë, rininë tonë,” shkroi Ujkani më 27 janar në rrjete sociale, e cila më pas kërkoi ndjesë publike.
Fill pas kësaj, njerëzit që nuk shihnin “veprime të pahijshme dhe degjeneruese” te kërcimet e mësuesit nisën hashtagun #meprofen ose #profechallenge – ku shfaqen duke kërcyer vallen e Shotës ose të tjera valle kombëtare.
I ftuar në disa programe televizive, Lulzim Paci u shfaq i trishtuar dhe i përlotur teksa fliste për kritikat.
View this post on Instagram
“Unë bëj çfarë të dua në banesën time private. U detyrova t’i thoja vëllait, i cili është doktor shkencash, se nëse e pyesnin se çfarë më kishte mua, të mos i thoshte se më kishte vëlla,” u shpreh në emisionin “Sot” në KTV. “Nëse vallëzimi me valle kombëtare është antivlerë, unë ndoshta jam gabim. Kërkoj falje publike.”
Këngëtarë, aktorë, politikanë, njerëz të thjeshtë nga Shqipëria dhe Kosova i kanë dalë në mbrojtje mësuesit. “Unë nuk di të kërcej se nuk jam valltare profesioniste, po pikërisht tani që kam arsye pas gjithë gjërave që kalova, nuk e kam në plan të ndaloj së kërcyeri o profe,” shkruan aktorja Adriana Matoshi teksa vallëzon.
View this post on Instagram
Dafina Zeqiri u shfaq duke kërcyer së bashku me mësuesin. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadh, gjithashtu doli në mbrojtje të Lulzim Pacit.
View this post on Instagram
Hashtagu #meprofen, i cili numëron me qindra postime në Instagram dhe disa miliona shikime në TikTok, na rikujton se jashtë mureve të shkollës, mësuesit janë njerëz si gjithë të tjerët dhe gëzojnë të drejtën të postojnë çfarë të duan në rrjete sociale, për aq kohë sa nuk fyejnë askënd dhe nuk cenojnë imazhin e shkollës si institucion.