Situata e Covid-19 në vend kërkon që masat të rishikohen, duke qenë se shifrat e rasteve pozitivë janë gjithnjë e më të reduktuara. Krahas këtij fakti, ekspertët e shëndetit mendojnë se rreth 85% e popullsisë në vend është imunizuar nga pandemia.
Pyetja që shtrohet është: A do të ketë lirim të masave kufizuese dhe nëse po, kur?
Sipas mjekut imunolog, Genc Sulçebe, studimi i fundit i akademisë së shkencave që është realizuar në fund të 2021-shit, ka evidentuar se mbi 70% e popullsisë është prekur nga Covid-19 dhe varianti më i përhapur i tij, Omicron.
"Për mendimin tim ora 23:00 nuk ka vlerë. Me vlerë është më tepër mbajtja e maskës për individë që janë më shumë të rrezikuar. Ata që për arsye të ndryshme nuk e kanë bërë vaksinën si dhe mosha mbi 60 vjeç. Për mendimin tim ora 11 është e panevojshme dhe mund të hiqet."- u shpreh Sulçebe për Abc News.
Thënë këtë, masat dhe oraret kufizuese duhet të rishikohen njësoj siç kanë bërë vendet e tjera europiane gjatë javëve të fundit.
Ekspertët mendojnë se maji do të sjellë rënie drastike të rasteve me Covid-19, e ndërsa vera e 2022-shit pritet të sjellë normalitetin dhe heqjen e kufizimeve totale.