
Gjatë procesit gjyqësor “Escort” në të cilin ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi akuzohet për favorizim të prostitucionit, ndër 10 mijë faqet e tabulateve telefonike, është gjetur edhe një bisedë me prezantuesen argjentinase Belen Rodriguez, tashmë një yll i televizionit italian. Në telefonatë, Berlusconi i tregon Belen se ka ushtruar shumë presion në mënyrë që ajo të ishte prezantuese e emisionit “Scherzi a parte”.
“Mund ta marrësh me mend kush ka folur...” i thotë ai në telefon. Belen përgjigjet: “E kisha marrë me mend. Tani kam edhe konfirmimin.”
Ai i tregon asaj se i është dashur të debatojë me Flavio Briatoren: “Kisha shumë presion nga Briatore për të futur të vetën,” thotë ai. Belen tregohet mirënjohëse dhe i thotë: “Nuk do të të zhgënjej Silvio”. Ai gjithashtu e pyet për lidhjen e saj me futbollistin Marco Borriello dhe në momentin që merr miratimin e saj se lidhja ka përfunduar, e fton atë për darkë. Ai më parë ka thënë se nuk kishte bërë gjë me të sepse ishte e dashura e njërit prej futbollistëve të tij.
“Atëherë urime dhe për çdo gjë, dije se ke një mik dhe adhurues që të do të mirën, mirupafshim vogëlushe,” e përfundon bisedën Berlusconi.
Në procesin “Ruby” ku ish-kryeministri akuzohej për marrëdhënie me minorene, emri i Belen Rodriguez përmendej edhe në dëshminë e Ruby-t. Ajo në dëshminë e parë ka thënë se e kishte parë Berlusconi-n gjatë një marrëdhënieje seksuale me Belen Rodriguez dhe me Nicole Minetti, një tjetër shoëgirl në një mbrëmje ku në shtëpinë e tij, ishte dhe prezantuesja Barbara D’Urso e vajza të tjera të ekranit. Më pas Ruby e tërhoqi këtë dëshmi, duke thënë se i kishte shpikur të gjitha.
Burimi: La Stampa