Një variant i ri i Omicron po qarkullon aktualisht në shumë vende të botës, por deri më tani tek ne nuk ka asnjë rast të konfirmuar. Të paktë, kështu bëri me dije Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.
Ajo tha se po vlerësohen mostrat për identifikimin e variantit të ri të Omicron, BA.2, i cili po qarkullon në disa vende europiane.
“Një nënvariant i Omicron BA.2 është duke qarkulluar në vende të ndryshme, kryesisht vendet europiane, ku ka një tendencë sot në rritje të rasteve të infektimeve, sepse ka një transmetueshmëri shumë të lartë. Ajo çfarë po vërehet është që gjithashtu vaksinimi, sidomos doza e tretë, ndihmon në reduktimin e rasteve të rënda dhe uljen e hospitalizimeve dhe tek fatalitetet. Aktualisht në Shqipëri nuk kemi ende raste të konfirmuara. Sigurisht ne jemi duke vijuar nëpërmjet survejancës tonë aktive dhe duke vlerësuar mostrat të cilat vijnë në ISHP, për t’i çuar në laboratorët e referencës”.-tha Manastirliu.
Mes të tjerash, ajo theksoi rëndësinë e vaksinimit duke i bërë apel qytetarëve të vaksinohen për të reduktuar shanset e infektimit me variantet e reja që qarkullojnë.
“Kemi dërguar mostrat nëpërmjet Qendrës së Kontrollit të Sëmundjeve Europiane në laboratorët e referencës në Gjermani dhe po presim përgjigjiet. Brenda 10 ditëve përgjigjia vjen dhe ne do të kemi një rikonfirmim të dyshimeve apo të varianteve që ne shikojmë të qarkullojnë. Ajo që doja të theksoja është që vaksinimi vlen për të gjithë variantet”,- u shpreh Silva Bino, Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive.
Burimi: Abc News