
Kalush Orchestra, grupi ukrainas që fitoi Eurovision-in, do të nxjerrë në ankand kupën dhe do t'i dhurojë të ardhurat për një fond bamirësie që ndihmon ushtrinë ukrainase dhe Ukrainën.
"Ne kemi planifikuar të nxjerrim kupën tonë në ankand dhe t'i dhurojmë të gjitha paratë për një fond bamirësie që ndihmon Forcat e Armatosura dhe Ukrainën. Shikoni, shumë njerëz tashmë po dhurojnë nga jashtë dhe ndoshta shumë të tjerë do të dëshironin për të dhuruar. Dhe kjo, sipas mendimit tonë, do të jetë gjëja që i motivon ata. Mendojmë se do të jetë e dobishme për Ukrainën," tha lideri i grupit, reperi Oleh Psiuk.
Kalush Orchestra falenderoi njerëzit për mbështetjen. “Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për të gjithë njerëzit që na mbështetën – ukrainasit, diaspora dhe qytetarët e vendeve të tjera. Ky është një hap dhe fitore shumë e rëndësishme për Ukrainën tani,” shtoi Psiuk.

Në Eurovision 2022, Ukraina mori 192 pikë nga votimi i jurive të shteteve të ndryshme dhe u rendit pas Mbretërisë së Bashkuar, Suedisë dhe Spanjës. Mirëpo votat e publikut ndryshuan gjithçka. 439 pikë për Ukrainën bënë që ajo të renditet në vend të parë me një diferencë të dukshme pikësh.
Kënga “Stefania” është një lloj ode për nënën dhe bën bashkë klasiken dhe modernen, ninullat sllave dhe muzikën rap.