
Nuk të duhet detyrimisht të zihesh me dikë për të mos patur më një raport si më parë. Ndonjëherë, gjërat ftohen. I ftuar në “Goca & Gra”, aktori i humorit Olsi Bylyku foli për raportin që ka sot me kolegun Bes Kallaku.
“Të them të vërtetën nuk është se kemi diçka me njëri-tjetrin,” tha ai pasi u pyet nga Fatma Haxhialiu nëse ka ndodhur diçka mes tyre dhe pse Kallaku nuk ishte i pranishëm në ditëlindjen e Bylykut.
“Me të gjithë njerëzit që nuk kanë qenë në ditëlindjen time, kam përshtypjen se ka qenë diçka momentale ku njëri për shembull nuk ka pasur kohë sepse ka pasur një koncert, tjetri nuk mendoi se ka qenë e arsyeshme që të ishte në ditëlindjen time. Por jo që të kemi pasur një zënkë. Thjesht jemi shkëputur, jemi ftohur. Edhe kur jemi takuar, kemi biseduar për gjëra shumë të përgjithshme që mund t’i diskutoj me këdo që takoj. Mendoj që rruga që vazhduam secili bëri që të [shkëputemi].”
Pas largimit nga “Portokalli”, Olsi Bylyku dhe Bes Kallaku u bënë pjesë e “B.E. Coffee” në “E diela shqiptare” së bashku me Erion Isain. Më pas, Olsi iu bashkua “Klanifornias” në Tv Klan, ndërsa Besi dhe Erioni vazhduan angazhimet e tyre jashtë ekranit. Së fundmi, Kallaku është pjesë e programit “Kosherja” në ABC News.