
Elhaida Dani po përgatitet për një rikthim të madh atje ku karriera e saj mori një kthesë vendimtare: në Itali.
Këtë herë jo për një talent show, jo për ndonjë paraqitje të shkurtër, por për një nga projektet më të mëdha dhe më prestigjioze të skenës europiane. Për thuajse dy vitet e ardhshme, Elhaida do të jetë pjesë e turneut gjigant italian të musical-it legjendar “Notre Dame de Paris”, ku do të interpretojë sërish rolin ikonik të Esmeraldës.
View this post on Instagram
Ky angazhim do ta mbajë këngëtaren pothuajse tërësisht të përqendruar në Itali, pasi turneu do të shtrihet në të gjitha teatrot dhe arenat më të rëndësishme italiane, me një axhendë intensive shfaqjesh. Një nga momentet kulmore do të jetë Arena di Verona, ku “Notre Dame de Paris” do të ngjitet në skenë për 14 net rresht, një arritje që shumë artistë e konsiderojnë majën e karrierës.
Rikthimi i Elhaidës në Itali ka edhe një domethënie emocionale. Pikërisht aty ajo u bë e njohur për publikun, kur fitoi "The Voice of Italy", edicionin e parë në vitin 2013. Italia ka qenë gjithmonë një pikë kyçe në rrugëtimin e saj artistik dhe sot, vite më pas, ajo kthehet si një artiste e konsoliduar ndërkombëtare. Ajo do të jetë e vetmja artiste shqiptare në kast, në një nga shfaqjet më të njohura të teatrit muzikor europian.
View this post on Instagram
Turneu italian i “Notre Dame de Paris” do të nisë më 26 shkurt 2026 në Milano dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë vitit e deri në fillim të 2027-ës, duke përfshirë qytete të mëdha si Jesolo, Pesaro, Reggio Calabria, Genova, Verona, Bari, Napoli, Torino, Roma dhe shumë të tjera. Në këtë produksion do të rikthehen edhe emra shumë të njohur të skenës italiane, si Giò Di Tonno në rolin e Kuazimodos dhe Vittorio Matteucci si Frolo.


