Bota

Turqia i kërkon OKB-së që të ndryshojë emrin

Shkruar nga Anabel

3 Qershor 2022

Turqia i kërkon OKB-së që të ndryshojë emrin

Qeveria e Turqisë i ka dërguar një letër Kombeve të Bashkuara duke kërkuar zyrtarisht që shtetit t’i referohen si Türkiye, raporton agjencia shtetërore e lajmeve.

Anadolu Agency tha se Stephane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, konfirmoi marrjen e letrës nga Mevlüt Çavusoglu, ministri i Jashtëm turk. Dujarric i tha Washington Post: “Nuk është e pazakontë që ne të marrim kërkesa të tilla”.

Qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdogan ka bërë presion që emri i njohur ndërkombëtarisht si Turkey (Turqia) të ndryshohet në Türkiye siç shkruhet në turqisht. Ky ndryshim lidhet me dëshirën për të pasur një emër ndryshe nga gjeli i detit (“turkey” në anglisht) dhe konotacionet negative që lidhen me të.

Në dhjetor të vitit 2021, Erdogan urdhëroi përdorimin e Türkiye për të përfaqësuar më mirë kulturën dhe vlerat turke, duke përfshirë edhe kërkesën që "Made in Türkiye" të përdoret në vend të "Made in Turkey" në produktet e eksportuara.

Për momentin, është e paqartë nëse emri, me një shkronjë që nuk ekziston në alfabetin anglez, do të përhapet gjerësisht jashtë Turqisë. Në vitin 2016, Republika Çeke regjistroi zyrtarisht emrin e shkurtër, Çekia, dhe ndonëse disa institucione ndërkombëtare e përdorin, shumë i referohen ende me emrin e gjatë.