Bota

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Shkruar nga Anabel

11 Qershor 2022

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Anëtarësimi në BE: Komisioni Europian mbështet Ukrainën

Komisioni Europian pritet të mbështesë dhënien e statusit e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian për Ukrainën gjatë javës së ardhshme, pavarësisht nga kundërshtimet e Danimarkës dhe Holandës. 

Miratimi nga Komisioni Europian kërkon marrëveshje me shtetet anëtare dhe kjo mund të paraqesë problem me Danimarkën, e cila e ka shprehur zyrtarisht paralajmërimin e saj se Ukraina nuk ka plotësuar mjaftueshëm kritere që lidhen me stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokraci, sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe respektim dhe mbrojtje të minoriteteve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka bërë thirrje Bashkimi Europian që t’i ofrojë shtetit të tij anëtarësim përmes një procedure më të shkurtuar, duke shtuar se kjo do të ishte “një përgjigje e fuqishme” ndaj pushtimit rus të Ukrainës.

Krerët e bllokut pritet ta diskutojnë këtë çështje në 23-24 qershor. 

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Ukraina thotë se Rusia po vendos ushtarët e vrarë në fabrikën e mishit 

Zyrtarët ukrainas pretendojnë se Rusia ka humbur aq shumë ushtarë në luftën kundër tyre, saqë janë detyruar të magazinojnë trupat e ushtarëve të vrarë në fabrikën e mishit, duke e modifikuar si morg.

Përmes një njoftimi për shtyp, të degës së inteligjencës së ushtrisë ukrainase thuhej se ushtria ruse nuk ka më vend për vendosjen e të vdekurve në rritje.

Ata shtonin se zyrtarët rusë po kërkojnë “frigoriferë të tjerë shtesë” për vendosjen e trupave në qytetin e pushtuar të Melitopol, në juglindje të kryeqytetit ukrainas Kiev. Sipas ukrainasëve, "fabrika e paketimit të mishit është mbushur me trupat e pushtuesve të vrarë dhe nuk mund të mbajë më”.

Zyrtarët ukrainas vijonin më tej të spekulonin mbi praktikat e menaxhinit të trupave të të vrarëve të luftës, duke thënë se “pronarët e fabrikës ishin urdhëruar prej rusëve që t’ia linin fabrikën pa pagesë”. Rusët nuk kanë ende një përgjigje zyrtare për këtë lloj pretendimi.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Koreja e Veriut zgjedh për herë të parë një grua si Ministre të Jashtme

Koreja e Veriut ka emëruar një kryenegociatore të armëve bërthamore si ministren e parë të Jashtme grua të vendit, mes  paralajmërimeve të SHBA se Pheniani po përgatitet të kryejë një provë bërthamore.

Diplomatja Choe Son Hui u emërua në një takim plenar të Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë, i mbikëqyrur nga lideri Kim Jong Un.

Emërimi i saj vjen në një kohë tensionesh në Gadishullin Korean pasi Koreja e Veriut rriti në mënyrë agresive programin e saj të testimit të armëve në kundërshtim me sanksionet e Kombeve të Bashkuara.

Të martën, përfaqësuesi i SHBA për Politikën e Koresë së Veriut, Sung Kim paralajmëroi se Washington-i beson se Koreja e Veriut po përgatitet të kryejë një test të shtatë bërthamor, i cili do të ishte i pari që prej vitit 2017.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Paralajmërimi i presidentit turk ndaj Greqisë: Reagon Amerika

Shtetet e Bashkuara bënë thirrje të premten për shmangien e retorikës tensionuese, pasi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan paralajmëroi Greqinë të çmilitarizojë ishujt në detin Egje, duke shtuar se kësaj here, “nuk po bënte shaka” me paralajmërimin.

“Ftojmë Greqinë të ndalojë armatosjen e ishujve që kanë status joushtarak dhe të veprojë në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare . Nuk po bëj shaka, po flas seriozisht. Ky vend (Turqia) është i vendosur”, tha lideri turk.

Ndërkohë SHBA ka ndërhyrë për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin e të gjitha vendeve, duke shpresuar kështu që reagimi të zbehë tensionet mes Turqisë dhe Greqisë..

“U bëjmë thirrje aleatëve tanë të shmangin retorikën që mund të rrisë më tej tensionet. Për Shtetet e Bashkuara, Greqia dhe Turqia janë të dyja partnere të forta dhe aleate kryesore të NATO-s”,- janë shprehur përfaqësues të departamentit të shtetit.

Greqia dhe Turqia kanë pasur prej kohësh mosmarrëveshje për çështje si kufijtë detarë dhe pretendimet në Detin Mesdhe, si dhe hapësirën ajrore, emigrantët dhe Qipron e ndarë etnikisht. 

Tensionet janë ndezur sërish kohët e fundit mbi ishujt e Egjeut, të cilët Ankaraja thotë se nuk mund të armatosen sipas traktateve ndërkombëtare. Të dy vendet u kanë dërguar letra Kombeve të Bashkuara duke parashtruar pozicionet e tyre rivale në hapësirën ajrore dhe ishujt.

Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë

Burimi: CNN, BBC, The Guardian