Që pas publikimit të trailerit të “Blonde” – filmi i bazuar te libri i Joyse Carol Oates që tregon për rrugëtimin e Marilyn Monroe drejt famës, me regji të Andrew Dominik – njerëzit kanë pasur disa pakënaqësi për protagonisten, aktoren Ana de Armas.
Disa njerëzve nuk u ka pëlqyer theksi spanjoll i De Armas teksa interpreton zërin karakteristik të Marilyn. Ana ka lindur në Kubë dhe ka aktruar në Spanjë përpara se të transferohej në Hollivud.
Marc Rosen, presidenti Authentic Brands Group (ABG), që zotëron pasurinë e Monroe, mbrojti aktoren. “Marilyn Monroe është një ikonë unike e Hollivudit dhe kulturës pop që kapërcen brezat dhe historinë,” tha ai. “Bazuar vetëm te traileri, duket se Ana ishte një zgjedhje e shkëlqyeshme.”
Në një intervistë me Times vitin e kaluar, aktorja foli për sfidën për të përsosur theksin e Monroe, duke thënë se u deshën nëntë muaj stërvitje për dialektin.
Brad Pitt, kompania e produksionit e të cilit është duke prodhuar filmin, gjithashtu vlerësoi De Armas mes kritikave për theksin e saj. “Ajo është fenomenale si Marilyn”, tha Pitt për New York Post. “U deshën 10 vjet përgatitje. Vetëm kur gjetëm Ana-n, mund ta kalonim vijën e finishit.”
“Blonde” do të publikohet nga Netflix më 28 shtator.