Të shtënat në Mal të Zi shkaktojnë 12 viktima, përfshirë edhe personin e armatosur
Dymbëdhjetë persona, përfshirë edhe personin e armatosur, janë vrarë për shkak të të shtënave masive në Mal të Zi, ku një burrë hapi zjarr në mënyrë të rastësishme në qytetin e Cetinjes, pas një mosmarrëveshjeje familjare.
Televizioni shtetëror tha se 34-vjeçari i armatosur kishte plagosur gjithashtu gjashtë persona, duke përfshirë një oficer policie, gjatë të shtënave në lagjen Medovina. Transmetuesi RTCG raportoi se sulmuesi kishte qëlluar rastësisht mbi njerëzit që ecnin në rrugë, përfshirë fëmijët.
“Kur arritëm në vendin e ngjarjes, pamë nëntë trupa të pajetë, duke përfshirë dy fëmijë, dhe dy të tjerë vdiqën rrugës për në spital,” tha prokurorja Andrijana Nastic. “Mund të them vetëm se vrasësi u vra nga një qytetar,” tha Nastic. Mediat kishin raportuar më herët se policia kishte vrarë autorin.
RTCG citoi burime policore të thoshin se sulmi erdhi pas një mosmarrëveshjeje familjare, por nuk dha detaje të mëtejshme. Policia ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare për sulmin, por ka bllokuar zonën.
Shkrimtari Salman Ruzhdie goditet me thikë
Shkrimtari Salman Rushdie u sulmua të premten teksa ishte gati të jepte një orë leksioni në SHBA. Raportet thonë se ai është goditur disa herë me thikë.
Një reporter i Associated Press dëshmoi se një burrë sulmoi Rushdie teksa po prezantohej. Rushdie u rrethua shpejt nga një grup i vogël njerëzish që i mbajtën këmbët lart, me sa duket për të dërguar më shumë gjak në kraharor
Andrew Wylie, një zëdhënës i Rushdie, tha se "Salman është në operacion", por pa dhënë detaje të tjera. Policia nuk ka dhënë motivin e sulmit.
FBI ka sekuestruar dokumente 'tepër sekrete' nga shtëpia e Trump, thotë Departamenti Amerikan i Drejtësisë
FBI gjeti dokumente që u etiketuan "tepër sekrete" nga pasuria e ish-presidentit Donald Trump në Mar-a-Lago në Florida, sipas dokumenteve gjyqësore të publikuara të premten.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë konfirmoi sekuestrimin dhe zbuloi gjithashtu se ka arsye të mundshme për të besuar se Trump ka shkelur Aktin e Spiunazhit, një ligj federal që ndalon zotërimin ose transmetimin e informacionit të mbrojtjes kombëtare.
Zjarret në Europë: BE vlerëson solidaritetin e zjarrfikësve “heroikë”
Rajoni jugperëndimor i Francës, Gironde, ka përjetuar një javë të rrezikshme në të cilën më shumë se 7,400 hektarë pyje janë djegur dhe të paktën 10,000 njerëz janë evakuuar nga shtëpitë e tyre.
Zjarrfikësit nga e gjithë Europa kanë shkuar në ndihmë të kolegëve francezë, të cilët nuk janë në gjendje të përballojnë numrin e madh të zjarreve të reja dhe rindezjen e zjarreve që nuk ishin shuar plotësisht.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar solidaritetin e zjarrfikësve "heroikë" në të gjithë kontinentin.