
Meta ka ndaluar influencuesin Andrew Tate nga Facebook dhe Instagram për shkelje të politikave që platformat kanë.
Ish-kikboksieri u bë i famshëm në vitin 2016 kur u përjashtua nga programi televiziv "Big Brother" për shkak të një videoje ku dukej se ai sulmonte një grua.
Në kohën e largimit të tij nga Big Brother, Tate tha se video ishte edituar, duke e quajtur atë "një gënjeshtër totale që përpiqet ta bëjë të duket keq".
Sidoqoftë, 35-vjeçari vazhdoi të fitonte famë në internet. Për herë të parë, ai është bllokuar nga Twitter, kur shkroi se "gratë duhet të mbajnë përgjegjësi për abuzimet seksuale ndaj tyre".
Në qershor të këtij viti, Tate kishte 1 milion ndjekës në Instagram. Tani, ai numëronte rreth 4.7 milionë ndjekës. Rritja e shpejtë e audiencës ndoshta ka ardhur pasi u bë viral në TikTok, me njerëz që e mbështesin dhe të tjerë që e kritikojnë masivisht.
Meta u shpreh se ka hequr Andrew Tate nga platformat, pasi ai ka shkelur politika që lidhen me "organizata dhe individë të rrezikshëm", por nuk dha detaje të mëtejshme.
Sipas Marianna Spring, korrespondente e keqinformimit dhe mediave sociale në BBC, videot e Andrew Tate - që promovojnë paragjykimin dhe urrejtjen ndaj grave - kanë rënë në sy këtë verë me adoleshentë që komentojnë se sa shumë ai po shfaqet në burimet e tyre në rrjetet sociale.
Përmbajtja e tij ka ngritur shqetësime në lidhje me efektin që videot virale mund të kenë në botën reale, veçanërisht te përdoruesit më të rinj në moshë, të ekspozuar ndaj tij gjatë pushimeve shkollore, kur kanë edhe më shumë kohë të lirë.
Në TikTok, videot me hashtagun #AndrewTate janë parë më shumë se 12.7 miliardë herë. Por ky numër nuk përfaqëson vetëm video të Tate dhe mbështetësve të tij - ai gjithashtu përfshin video të bëra nga njerëz që kritikojnë influencuesin.

Nëse nuk keni dëgjuar ndonjëherë për Andrew Tate, në një nga videot e tij më të klikuara ai thotë se "është realist, dhe nëse je realist, do jesh edhe seksist".
Në po të njëjtën video, ai i quan gratë "në thelb dembele" dhe thotë se "nuk ekziston asnjë femër e pavarur".
Këto janë *shumë* pak nga broçkullat që Andrew Tate ka thënë në shumë video të tij.
Burimi: BBC