Këtë vit, festivali i "Kënga Magjike" vjen si asnjëherë më parë! Edicioni i 23-të do të jetë i mbushur me risi, të cilat siç paralajmëron vetë producenti dhe moderatori Ardit Gjebrea, "vijnë për herë të parë në historinë e festivaleve në Shqipëri".
Përmes një Instastory të publikuar në llogarinë e tij të Instagramit, Gjebrea zbulon vetëm disa nga surprizat e festivalit.
"Jam shumë i lumtur, njëkohësisht dhe krenar për fillimin e edicionit të 23-të "Kënga Magjike". Ky edicion do të jetë padyshim më i mirë në historinë e festivaleve në Shqipëri, pasi për herë të parë aplikohet teknologjia më e re televizive europiane në paraqitjen e tij. Për herë të parë artistët e huaj janë të një niveli që nuk ka ndodhur më parë në një garë në vendin tonë.
Gjithashtu, ndryshe nga herët e tjera, spektakli i "Kënga Magjike" këtë vit do të vijë 4 netë radhazi.
"Nata e tretë do të jetë Nata Finale Tradicionale Shqiptare dhe nata e katërt do të jetë Grand International Kënga Magjike. Ky edicion do të ketë shumë "për herë të parë" ndaj dhe uroj të jetë një bekim për çdo artist pjesëmarrës dhe kënaqësi për ju që do e ndiqni."
Për herë të fundit, Kënga Magjike u organizua në maj të 2021-shit pa praninë e një publiku dhe jo në "shtëpinë" e festivalit (Pallati i Kongreseve) për shkak të pandemisë dhe kufizimeve që solli.