Mjeshtri i madh i pikturës shqiptare Sali Shijaku ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në moshën 89-vjeçare. Prej disa ditësh, piktori ndodhej në gjendje kome dhe lajmin për ikjen e tij e bëri me dije i biri, Orges Shijaku.
Sali Shijaku ishte një nga mjeshtërit e rrallë të pikturës. I njohur si artist ekspresionist që sfidoi metodat e ngurta të realizmit socialist gjatë periudhës së komunizmit, ai shquhej për përdorimin e ngjyrave origjinale dhe lirshmërisë në krijim.
Në vitin 1979 nderohet me titullin “Piktor i Popullit”.Që nga diplomimi i tij e deri në ditët e sotme është një nga artistët që ka ekspozuar vazhdimisht, në ekspozita kombëtare si brenda dhe jashtë vendit. Shijaku është nga artistët më të njohur të arteve pamore në Shqipëri. Në atelienë e tij janë përgatitur dhjetra breza artistësh të cilët koontribojnë sot në skenën e artit shqiptar.
Ekspozita e tij e parë vetjake daton në vitin 1965. Shijaku ka ekspozuar në Bienalen e Aleksandrisë (Egjipt), Rumani, Itali, Francë, Kinë, Turqi, Austri. Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen 92 vepra të artistit në pikturë, vizatime, qeramikë.
Shumë prej veprave të tij janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë vendit.
Burimi: Euronews