TikTok është një nga platformat më interesante të viteve të fundit. Një video mund t'ju bëjë të qeshni me lot, videoja tjetër mund t'ju përlotë dhe në videon pas saj mund t'ju dalë Sali Berisha duke ju përshëndetur.
Nisi si një vend ku kërcehej, ndërsa tani është kthyer në rrjetin e preferuar social të të gjitha llojeve të bizneseve. Së fundmi, edhe politikanët po joshen nga fenomeni i TikTok.
Platforma aq e paragjykuar nga shqiptarët (dhe jo vetëm), për faktin se "promovon antivlera apo bën të 'famshëm' këdo", tashmë përdoret nga kryeministri aktual dhe ish-kryeministri i vendit tonë.
Në fakt, jo vetëm nga politikanë shqiptar. Pak kohë më parë, Berlusconi, ish-kryeministër i Italisë u bë menjëherë viral pas hyrjes së tij në TikTok. Në kohë zgjedhjesh jo pak politikanë amerikanë (Ken Russell etj.) i janë drejtuar TikTok-ut.
Çfarë na tregon kjo për TikTok-un? Po për politikanët?
Fillimisht, prania e politikës në TikTok, diçkaje kaq serioze në krahasim me një gjë argëtuese (TikTok), na tregon se këtë të fundit mund ta keni nënvlerësuar.
Thad Kousser, një profesor i shkencave politike në UC San Diego, thotë se "politikanët po përpiqen të krijojnë një prani dhe bazë kudo që njerëzit shkojnë" (via LA Times).
Një gjë është e sigurt, njerëzit tani janë pikërisht në TikTok dhe të paturit mundësinë të dëgjohesh/shikohesh përpara kaq shumë njerëzve, është një shans që nuk është parë ndonjëherë më parë, të paktën në këtë formë.
Këta njerëz, për më tepër, janë kryesisht Gen Z dhe politikanët po e shfrytëzojnë këtë mundësi, për të qenë më pranë të rinjve, për të qenë më të prekshëm, më të pranishëm. Këto sigurisht, me shpresën se do të përkthehen në mbështetje të atij politikani, partie etj.
Vetë ish-kryeministri Berisha u shpreh për llogarinë e tij në TikTok:
“TikTok-u është sot më i preferuar për adoleshentët dhe mosha afër adoleshencës. Pavarësisht nga interesi i tyre me politikën, komunikimi me ta është jashtëzakonisht i rëndësishëm."
Kemi vetëm një pyetje. A është një kërkesë shumë ambicioze nga ana jonë, nëse presim një "live" në TikTok, Berisha-Rama? Bëjeni për gjeneratën Z!
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.