Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut nuk do të konkurrojnë në festivalin Eurovision vitin e ardhshëm për shkak të kostos së pjesëmarrjes.
Transmetuesit paguajnë një tarifë për të marrë pjesë në konkurs, por shuma ndryshon në varësi të madhësisë së vendit. BBC raporton se disa vendeve u është kërkuar të paguajnë më shumë pasi Rusia u pezullua nga konkursi pasi pushtoi Ukrainën.
"Përveç kostove të konsiderueshme të tarifave të regjistrimit, si dhe kostos së qëndrimit në Britaninë e Madhe - ne u përballëm edhe me mungesë interesi nga sponsorët, ndaj vendosëm t'i drejtojmë burimet ekzistuese për financimin e projekteve kombëtare aktuale dhe të planifikuara," tha transmetuesi publik i Malit të Zi, RTCG.
Kostoja totale për të gjithë transmetuesit e përfshirë për të hyrë zakonisht shkon deri afro 6 milionë euro, por saktësisht se sa paguan secili pjesëmarrës nuk bëhet publike. Mendohet se edhe vende të tjera mund të tërhiqen si pasojë e kostos shtesë.
Transmetuesi publik MRT në një deklaratë tha se “rritja e tarifës së regjistrimit për pjesëmarrje” si dhe kriza energjetike në Maqedoninë e Veriut i detyroi ata të marrin vendimin.
Organizatorët e festivalit europian të këngës thanë se "janë përkushtuar të mbajnë kostot e pjesëmarrjes sa më të përballueshme" dhe tarifat e saj "llogariten bazuar në numrin e vendeve që konkurrojnë" duke marrë parasysh "madhësinë relative të shtetit dhe statusin financiar.”