
Hap TikTok-un, sheh “nepo baby”. Mbyll TikTok-un, e hap prapë më vonë, sheh sërish këtë togfjalësh. Madje, edhe kur hap Twitter-in, prapë të del si term, ndaj është çasti të lexojmë dhe mësojmë më shumë rreth “nepo baby”.
Ç’është ky togfjalësh?
“Nepo baby” lidhet me termin “nepotizëm”* dhe nënkupton që një person i famshëm, është fëmija i një personi edhe më të famshëm (ose jo). “Nepo babies” nuk kanë grupmoshë, pasi i përkasin çdo grupmoshe dhe profesioni (mjafton të kenë prindër të suksesshëm).
Nepotizëm* - përkrahje a favorizim i farefisit e i miqve (shpjegim sipas fjalorit).
Kur lindi?
“Nepo baby” ka që në shkurt si togfjalësh, përmes një postimi në Twitter, referuar kastit të serialit “Euphoria”. Më pas, me gjithë gjërat që ndodhën sikur u harrua, për t’u rikthyer sërish, më fuqishëm se kurrë.
Publikimi ishte për aktoren që luan rolin e Lexie dhe personi që bëri publikimin, zbuloi se ajo është vajza e Leslie Mann dhe e një regjisori.
Wait I just found out that the actress that plays Lexie is a nepotism baby omg ? her mom is Leslie Mann and her dad is a movie director lol pic.twitter.com/s3Mh5QERgC
— girl idk… (@MeriemIsTired) February 21, 2022
Kujt i referohet?
Tashmë mund ta kesh parë që togfjalëshi “nepo baby” shoqërohet me fotot e Zoë Kravitz, Maya Hawke, apo Dakota Johnson, Lily-Rose Deep, të cilat edhe pse janë shumë të famshme dhe të talentuara vetë, sërish kanë rënë “viktima të internetit”.
Pse interneti po i “urren”?
Praktikisht, është një marrëdhënie dashuri-urrejtje. Parimisht, nuk i urrejnë tamam-tamam, sepse gjithmonë fëmijët e njerëzve të famshëm kanë një aura të lezetshme vërdallë, madje as nuk mendojnë se nuk kanë talent, por sërish, mendojnë se fama e prindërve u ka dhënë një dorë të mirë në ngjitjen në karrierë. Pra, ekziston mendimi se Zoë është e talentuar, ama rolet e saj mund t’i kishte luajtur edhe dikush që nuk i ka prindërit aq të famshëm.
A kanë folur këta personazhe për këtë?
Sigurisht. Një prej tyre dhe ndoshta më e sulmuara, Zoë Kravitz, ka thënë se në fakt, “është mëse normale që njerëzit të jenë pjesë e bizneseve familjare”, apo të vijnë nga familje të famshme.
Gjithashtu, edhe Gwyneth Paltrow, së bashku me Hailey Baldwin Bieber, kanë thënë se të kesh familjarë të famshëm, është më shumë problem se sa përfitim, sepse “duhet të punosh dyfish që të jesh më e mirë se familjarët e tu”.
Në të njëjtën linjë mendimi është edhe këngëtarja Lily Allen, e cila theksoi se të jesh një “nepo baby” nuk është aspak aq e thjeshtë sa mendohet.
Cilët janë disa personazhë të tjerë që janë nën shënjestrën e internetit?
Iris Law (modele dhe vajza e Jude Law dhe Sadie Frost)
Eve Jobs (modele dhe vajza e Steve Jobs)
Deva Cassel (modele dhe vajza e Monica Bellucci dhe Vincent Cassel)
Stella Jones (modele vajza e Mick Jones)
Lila Grace Moss (modele dhe vajza e Kate Moss)
Leni Klum (modele dhe vajza e Heidi Klum)