Muzika

Pas reagimit të kompozitorit, performanca e Elsa Lilës dhe Capital T fshihet nga Youtube

Shkruar nga Anabel

3 Janar 2023

Pas reagimit të kompozitorit, performanca e Elsa Lilës dhe Capital T

“Festivali i Këngës” solli edhe performancat e artistëve të njohur, të cilët kënduan në duete me kolegë të tjerë. Elsa Lila riktheu pas 25 vitesh këngën “Pyes Lotin”, në një duet me reperin Capital T, por Valentin Veizi, kompozitori i këngës, nuk e mirëpriti aspak këtë performancë, duke pretenduar se “i bënë pis këngën”.

Pas reagimit të tij publik, kënga u fshi nga Youtube. Në një intervistë për "Euronews", Valentin Veizi u shpreh se nuk ka komunikuar me Elsa Lilën, por “ka ndjerë dhimbje kur ka parë këngën të deformuar”.

“Duhet të komunikonin ata me mua për këtë mendim që kishin. Nuk kam arsye të flas me këdo, nuk do e bëj pazar me muhabete telefoni. Shikoj në YouTube, në ekran këngën time, e dëgjoj me autor tjetër, një këngë që unë jam krenar. Unë kam thënë mos ma bëni pis, në fakt është më tepër, është dhimbje. Më mirë mos e kisha dëgjuar në fakt, sa keq jam ndjerë kur kam dëgjuar atë këngë në atë variant që u soll”, u shpreh ai.

Më pas, shtoi:

“Shqipëria nuk është han me dy porta, ajo e ’98 që kam lënë unë, Shqipëria po shkon drejt Europës. Sa mbaroi festivali, këngën time e dëgjon nëpër tezga. Kështu ndodhi dhe në 97′ me "Larg urretje”. Isha komplet i pafuqishëm, ashtu ishte Shqipëria atëherë. Tani, jo më! Këta duhet të mësojnë se kënga shqiptare nuk lindi kur lindën këta, nuk është puna për respekt moral, ata duhet të mësojnë se nuk preket. Nuk është me Shqipëria e ’96-97 ku e dëgjoje këngën dhe e shisnin kush te deshte. Po të tjerët që nuk e kanë këtë mundësi?”.

Valentini e bëri shumë të qartë që nuk ka asgjë personale në këtë çështje, por po flet për fenomenin që dëmton artin shqiptar.

”Pyes Lotin” e merr X, Y, pa leje dhe e bën si do vet. “Këputa një gjethe dafine” e merr një reper tjetër; “Për ty atdhe” e merr dikush tjetër. Çfarë mbetet? Po shndërrohet kultura e këngës shqiptare, dëmi është shumë i fuqishëm. Nuk jam kundra sjelljes në kohë, unë kam shumë këngë që janë sjellë ndryshe, por pa ndryshuar strukturën dhe duhet kujdes me këtë punë. Nuk preket, janë disa gjëra që nuk preken. Mos i prek se të djegin, mos e prek zjarrin. Ti mund te marrësh tokën e dikujt është ta nxjerrësh e nga shtëpia, por artin nuk e merr dot”, tha kompozitori.