Matteo Messina Denaro, “kumbari” i fundit i mafias siçiliane dhe një nga kriminelët më të kërkuar në botë, është arrestuar në Palermo pas 30 vitesh në arrati.
Denaro, 60 vjeç, i cilin qëndronte i fshehur që nga viti 1993, u kap në një klinikë private në qytetin sicilian, ku sipas burimeve, prej rreth një viti mjekohej me emrin e rremë “Andrea Bonafede”.
Mafiozi konsiderohej dikur si kandidat për të qenë bosi i bosëve të mafias siçiliane, pas vdekjes së Bernardo Provenzano në vitin 2016 dhe Salvatore Riina në 2017-n.
I njohur me pseudonimin Diabolik ose U Siccu (i dobëti), Denaro lindi në Castelvetrano, Siçili, në vitin 1962. Babai i tij ishte një bos i fuqishëm i Cosa Nostra-s. Sipas informatorëve dhe prokurorëve, ai është përgjegjës për disa nga krimet më të urryera të kryera nga mafia siçiliane.
Në vitin 2002, ai u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen ose urdhërimin e vrasjeve të dhjetëra njerëzve.
Hetimi për të gjetur Denaro-n u ndërlikua nga mungesa pothuajse e plotë e fotografive. Me vetëm disa foto të vjetra identiteti, autoritetet italiane rindërtuan pamjen e tij në mënyrë dixhitale, duke përdorur teknologjinë më të fundit kompjuterike dhe informacionin e siguruar.
Tani që Denaro nuk është më një njeri i lirë, hetuesit do të përpiqen të zbulojnë ku ishte strehuar dhe rrjetin e njerëzve që e mbronin atë.
Burimi: Rai News, Guardian