Celebrity

Nisur nga Sam Smith, pse të jesh dhe të ndihesh seksi nuk ka lidhje me kilogramët?

Shkruar nga Anabel

31 Janar 2023

Nisur nga Sam Smith, pse të jesh dhe të ndihesh seksi nuk ka lidhje me

Sam Smith publikoi këngën e tij të re “I’m not here to make friends” dhe është një këngë e veçantë, që të fiksohet dhe mund ta këndosh kudo, ama njerëzit nuk u morën fare me këtë pjesë, por me mënyrën se si Sam duket.
 
Komente të tipit: “I duket vetja seksi?!”; “Më mungon Sam i vitit 2014”; “Pamja e tij ma neverit”; “Sam Smith, kaq i shëndoshë, mendon vërtet se bëri diçka”, etj, vërshuan kudo në Twitter dhe në fakt janë shqetësuese, sepse lidhen ngushtë me imazhin që njerëzit krijojnë për veten.
 
Por, sa kanë të bëjnë kilogramët "e tepërt" me të qenit seksi?

Gjatë gjithë jetës, moda, kinemaja, librat, gratë dhe burrat përreth na kanë ngulitur idenë se të jesh "e dobët" në aspektin fizik është e barabartë me të jesh seksi. Por ama, të jesh seksi është e barabartë me: të ndihesh mirë në lëkurën tënde, të jesh i/e bindur në aftësitë e tua, të flirtosh këndshëm, të kuptosh tjetrin, të kesh besim te vetja…Pra, në fakt, kilogramët “e tepërt” nuk kanë kaq shumë lidhje me të qenit seksi, sepse kjo e fundit ka të bëjë me sjelljen, ecjen, veshjen, mendjen, shpirtin, gjestikulacionet, dijen, empatinë, inteligjencën emocionale dhe shumë prizme të tjera. Askush nuk e përcakton dot se çfarë është ose jo seksi.
 
Personalisht, mendoj se për shembull, inteligjenca është shumë seksi, vetëbesimi po ashtu, apo edhe sensi i humorit. Por në shumë situata të tjera më duket seksi edhe shprehja e ndjesive, edhe një timbër zëri dhe gjithçka që s’ka fare lidhje me kilet.
 
Trupi ndryshon në mënyrë të vazhdueshme, ajo që ne mund të bëjmë është ta duam dhe të mos e komentojmë apo vëmë në dukje diçka që nuk na takon. Sam dhe gjithkush tjetër që mund të na duket ne se “ka shtuar peshë” e sheh veten dhe i duket (ose jo, në varësi të konceptit që ka për veten) mëse tërheqës/e dhe seksi, ndaj është e tepërt që të dëgjojnë një fjalë apo koment më shumë.

Është e rëndësishme të theksohet se të qenit seksi, moda, kërcimi, arti, veshjet nuk janë krijuar ekskluzivisht vetëm për njerëzit që përmbushin "standardet" aktuale të shoqërisë. Janë krijuar në funksion të njerëzve. Kaq. Pa epitete. Pa paragjykime.
 
Le ta normalizojmë talentin, të qenit vetvetja, autentikë, të bërit diçka ndryshe, me apo pa kilogramë. Pesha nuk është kurrë etaloni matës i të qenit seksi!

Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.