Gjykata e apelit në Rumani ka lënë në fuqi vendimin e muajit të kaluar për të zgjatur paraburgimin e Andrew Tate, që do të thotë se ish-kikboksieri dhe mizogjeni do të qëndrojë në paraburgim deri të paktën më 27 shkurt.
Tate, 36 vjeç, vëllai i tij Tristan, 34 vjeç dhe dy gra të dyshuara rumune, njëra ish-oficere policie, u arrestuan në dhjetor me dyshimin për trafikim të njerëzve, përdhunim dhe formim të një grupi krimi të organizuar për të shfrytëzuar gratë. Të gjithë i kanë mohuar këto pretendime.
Prokurorët nisën hetimet marsin e kaluar pasi një nga vëllezërit dyshohet se përdhunoi një grua të trafikuar. Ata akuzohen se rekrutuan viktimat duke i joshur dhe duke pretenduar se donin lidhje romantike.
Viktimat më pas dyshohet se u dërguan në disa prona jashtë Bukureshtit ku u detyruan "përmes dhunës fizike, frikësimit dhe detyrimit" të prodhonin përmbajtje pornografike për faqe të caktuara, duke gjeneruar fitime të mëdha.
Prokuroria deri më tani ka identifikuar gjashtë viktima, mes të cilëve edhe të mitur. Dy gratë rumune në paraburgim, Georgiana Naghel dhe Alexandra Luana Radu, dyshohet se kanë vepruar si bashkëpunëtore të vëllezërve Tate.
Ish-kikboksieri u bë i famshëm në vitin 2016 kur u hoq nga reality show britanik “Big Brother” për shkak të një videoje ku shfaqej duke sulmuar një grua. Ai ka thënë se gratë janë pjesërisht përgjegjëse për përdhunimin dhe se ato “i përkasin” meshkujve.
Pasi grumbulloi miliona ndjekës në rrjetet sociale, duke shkaktuar frikë se videot e tij po radikalizonin të rinjtë, Andrew Tate u bllokua përfundimisht nga të gjitha platformat kryesore. Në nëntor, llogaria e tij në Twitter u rikthye.