15 shkurt, përditësim ora 08:40
Shtatë persona të tjerë shpëtohen në Turqi tetë ditë pas tërmetit
Shtatë persona të tjerë janë shpëtuar tetë ditë pas tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë, por shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë të asaj që Organizata Botërore e Shëndetësisë e quajti fatkeqësia më e keqe natyrore në 100 vjet në rajonin e Europës, po pakësohen.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve u rrit në gati 38,000, duke përfshirë 31,974 në Turqi dhe të paktën 5,714 në Siri.
12 shkurt, përditësim ora 17:15
Numri i të vdekurve nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë u rrit në më shumë se 33,000 të dielën, ndërkohë që Kombet e Bashkuara paralajmëruan se numri përfundimtar mund të dyfishohet.
Zyrtarët dhe mjekët thanë se 29,605 njerëz kishin vdekur në Turqi dhe 3,574 në Siri, duke e çuar totalin e konfirmuar në 33,179, raporton Agence France-Presse.
Ministri i Mjedisit në Turqi, Murat Kurum, tha se bazuar në një vlerësim fillestar të më shumë se 170,000 ndërtesave, 24,921 në të gjithë rajonin janë shembur ose janë dëmtuar rëndë nga tërmeti.
Autoritetet turke kanë lëshuar më shumë se 100 urdhër-arreste për ndërtesat e shembura. Media shtetërore raportoi se të paktën 12 persona ishin në paraburgim, duke përfshirë kontraktorë, arkitektë dhe inxhinierë që kanë pasur lidhje me disa prej dhjetëra mijëra ndërtesave të shkatërruara ose të dëmtuara rëndë pas tërmeteve të së hënës me magnitudë 7.8 dhe 7.6 ballë.
Udhëheqësit e opozitës kanë akuzuar prej kohësh qeverinë e Erdoganit për moszbatimin e rregulloreve të ndërtimit pas tërmetit të Izmit të vitit 1999, për të siguruar që blloqet e apartamenteve dhe zyrave të ishin më rezistente ndaj tërmeteve.
Disa kritikë po sugjerojnë se arrestimet janë një përpjekje për të larguar fajin për katastrofën, pasi ekspertët kanë paralajmëruar vazhdimisht se shumë ndërtesa të reja në Turqi ishin të pasigurta. BBC raporton se politikat e qeverisë lejuan kontraktorët që nuk respektonin rregulloret e ndërtimit, duke përfshirë zonat e prirura për t’u prekur nga tërmeti.
Presidenti ka akuzuar kritikët e tij se gënjejnë dhe në komentet e deritanishme duket se fajëson fatin për fatkeqësinë, duke thënë se katastrofa të tilla "kanë ndodhur gjithmonë. Ai është zotuar të fillojë rindërtimin brenda disa javëve.
12 shkurt, përditësim ora 11:30
- Numri i të vdekurve kalon 28,000, ndërsa OKB paralajmëron se shifra mund të dyshishohet.
- Turqia lëshon 133 urdhër-arreste për ndërtimin e ndërtesave. . Policia turke ka marrë tashmë të paktën 12 persona në paraburgim, duke përfshirë kontraktorët e ndërtimit.
Disa kritikë po sugjerojnë se kjo është një përpjekje për të larguar fajin për katastrofën, pasi ekspertët kanë paralajmëruar vazhdimisht se shumë ndërtesa të reja në Turqi ishin të pasigurta. BBC raporton se politikat e qeverisë lejuan kontraktorët që nuk respektonin rregulloret e ndërtimit, duke përfshirë zonat e prirura për t’u prekur nga tërmeti.
10 shkurt, përditësim ora 08:00
Numri i vdekjeve në Turqi është rritur në 18,342, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 21,719. Sipas përditësimeve më të fundit nga Siria, 3,377 kanë vdekur atje.
- Turqia tha se pothuajse 3,000 ndërtesa ishin shembur në shtatë provinca të ndryshme, duke përfshirë spitalet publike.
- Banka Botërore do t'i japë Turqisë 1.78 miliardë dollarë. Ndërkohë, SHBA do të dërgojë 85 milionë dollarë ndihmë për Turqinë dhe Sirinë. Vendet e tjera, duke përfshirë Francën dhe Gjermaninë, kanë dërguar gjithashtu para dhe mbështetje, siç ka bërë Greqia, e cila ka pasur mosmarrëveshje afatgjata me Turqinë.
- Agjencia turke e menaxhimit të fatkeqësive, AHAD, tha se ka regjistruar pothuajse 650 pasgoditje që nga goditja e dy tërmeteve – 7.8 dhe 7.6 ballë.
- OBSH tha se deri në 23 milionë njerëz në përgjithësi mund të preken nga tërmeti dhe premtoi ndihmë afatgjatë.
- Rritet presioni mbi OKB-në për të ofruar mbështetje urgjente për Sirinë veriperëndimore.
9 shkurt, përditësim ora 08:30
Numri i viktimave në Turqi shkoi në 12,873 duke e çuar numrin total në 15,865. Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë ende, ndonëse gjithmonë e më tepër po shuhen shpresat për të gjetur njerëz që kanë mbetur gjallë nën rrënoja.
8 shkurt, përditësim ora 08:30
Mbi 8,400 të vdekur; me qindra mijëra kërkojnë strehim
Agjencia turke e fatkeqësive ka rritur sërish numrin e të vdekurve nga tërmeti, raporton Reuters. Në Turqi, janë raportuar 6,234 të vrarë. Me rritjen e numrit të të vdekurve në Siri në 2,470, numri total i viktimave nga tërmeti është 8,704 dhe pritet të vazhdojë të rritet gjatë gjithë ditës.
7 shkurt, përditësim ora 08:30
Tërmeti në Turqi dhe Siri: Numri i viktimave mund të shkojë në 20,000+, thotë OBSH
Tërmeti me magnitudë 7.8 ballë që goditi Turqinë dhe Sirinë ishte një prej tërmeteve më të fuqishëm që ka goditur rajonin në të paktën një shekull. Nga të dhënat aktuale, rezulton se kanë humbur jetën mbi 4,800 persona, ndërsa me mijëra njerëz ndodhen nën rrënoja.
Numri i vdekjeve mund të rritet në më shumë se 20,000 njerëz, tha Catherine Smallwood, zyrtare e lartë e ngjarjeve emergjente të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Europën.
Tërmeti i fuqishëm dhe dhjetëra pasgoditje rrëzuan blloqe të tëra apartamentesh në Turqi dhe shkaktuan më shumë dëme në komunitetet siriane tashmë të shkatërruara nga më shumë se një dekadë lufte. Sizmologët kanë regjistruar më shumë se 100 pasgoditje më të vogla.
Mbi 7,800 njerëz janë shpëtuar në 10 provinca, sipas Orhan Tatar, një zyrtar i autoritetit të menaxhimit të fatkeqësive të Turqisë.
Më shumë se 10 ekipe kërkimi dhe shpëtimi nga Bashkimi Europian u mobilizuan për të ndihmuar në rimëkëmbjen, tha një zëdhënës i Komisionit Europian. SHBA-ja, Britania e Madhe, Kanadaja, Izraeli, Rusia dhe Kina ishin midis vendeve të tjera që ofruan ndihmë.
Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) ka bërë thirrje për rritjen e fondeve për ndihmën humanitare në Siri.
6 shkurt, përditësim ora 21:52
Numri i viktimave në Turqi dhe Siri ka kapur shifrën e 3,000 personave. Në Turqi ka 1,762 të vdekur dhe 12,068 të lënduar. Në Siri kanë vdekur 1,293 njerëz, ndërkohë po punohet për të njoftuar numrin e të lënduarve.
6 shkurt, përditësim ora 13:25
Shkon në 1,500 numri i viktimave; fotot tregojnë shkallën e katastrofës
Fotot që tregojnë shkallën e vërtetë të katastrofës janë bërë publike. Blloqe të tëra pallatesh u rrafshuan nga tërmeti, shufra metalike u shpërndanë nëpër rrugë dhe automjetet u përmbysën. Ekipet e shpëtimit po punojnë ende për të nxjerrë personat e bllokuar nën rrënoja.
Artikulli i mëparshëm:
Më shumë se 1,400 njerëz kanë mbetur të vdekur si pasojë e tërmetit që goditi Turqinë qendrore dhe Sirinë veriperëndimore. Ekspertët e kanë përshkruar si një nga tërmetet më të fuqishme në rajon në të paktën një shekull. Një lëkundje e dytë e fuqishme u ndje 12 orë më vonë nga tërmeti i parë.
- Numri i total zyrtar i vdekjeve nga tërmeti i parë në Turqi dhe Siri është rritur tashmë në mbi 1,400. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e përshkroi si fatkeqësinë më të madhe të vendit që nga viti 1939. Raportohen mbi 5,300 të plagosur.
- Tërmeti i parë goditi vendin rreth orës 4 të mëngjesit, teksa njerëzit flinin dhe ishte 7.8 ballë i shkallës Rihter, një nga tërmetet më të fuqishme në rajon në të paktën një shekull.
- Presidenti turk bëri me dije se 9,000 njerëz janë përfshirë në operacionet e shpëtimit. 2,818 ndërtesa janë shembur.
- Tërmeti i dytë goditi Turqinë dhe Sirinë më pak se 12 orë pas të parit. Mediat shtetërore në Siri kanë thënë se Damasku është prekur nga tërmeti i fundit i madh, megjithëse detajet mbeten të pakta.
- Bashkimi Europian ka mobilizuar më shumë se 10 ekipe kërkim-shpëtimi për të ndihmuar Turqinë.
- Autoritetet italiane paralajmëruan për cunami në bregdetin jugor të vendit. Departamenti i Mbrojtjes Civile i Italisë ka rekomanduar njerëzit në zonat bregdetare të lëvizin në vende të larta.
- Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, tha se 10 qytete ishin prekur nga tërmeti; qytetet Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Dijarbakir dhe Kilis kanë pësuar të gjitha dëme.