KORONAVIRUS

Një raport i SHBA-së thotë se Covid doli nga një laborator: Ç’duhet të dimë

Shkruar nga Anabel

28 Shkurt 2023

Një raport i SHBA-së thotë se Covid doli nga një laborator:
Foto: Ng Han Guan/AP

Pandemia e Covid-19 ka shumë të ngjarë të ketë origjinën nga një laborator, shkruan një departament i qeverisë amerikane. Studimi i kryer në emër të departamentit të energjisë në SHBA konsiderohet i rëndësishëm pasi mbikëqyr një rrjet prej 17 laboratorësh që përfshijnë kërkime në biologjinë e avancuar.

Që në fillim ka pasur spekulime se Covid-19 doli nga Instituti i Virologjisë Wuhan në Kinë, i cili kishte mbledhur dhe manipuluar viruset e lakuriqëve të natës. FBI gjithashtu mendon se Covid e ka origjinën në një laborator kinez.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Wall Street Journal, në raporte thuhet se ka të ngjarë që virusi të ketë dalë nga një laborator, por jo si pjesë e përdorimit të tij si armë biologjike, por ka qenë aksidentale.

Gjithsesi, raporti jo domosdoshmërisht vërteton se virusi e ka origjinën në laborator. Ka shumë agjenci të tjera amerikane që nuk bien dakord me këto pretendime. CIA është një nga agjencitë që mbetet e pavendosur për të dalë në përfundime. Për më tepër, ekspertët nuk janë në gjendje të shqyrtojnë provat mbi të cilat bazohet raporti i departamentit të energjisë në SHBA.

Dr. Filippa Lentzos tha për Guadian se çështja e origjinës mbeti e hapur. Sipas saj, mund të ketë qenë përhapje e natyrshme, rezultat i punës kërkimore, incident në vendin e punës. “Nuk ka asnjë provë të fortë, vetëm prova rrethanore,” tha ajo.

Tarik Jasarevic, një zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se OBSH nuk kishte marrë asnjë informacion për këtë raport. Të tjerë ekspertë e kanë kritikuar raportin duke e konsideruar joshkencor.

Pse ka qenë kaq e vështirë të thuhet me siguri se si filloi pandemia? Problemi i parë lidhet me vështirësinë e gjetjes së origjinës së një virusi, sepse përhapja nga një specie te tjetra e vështirëson kërkimin. Së dyti, hulumtimi është ndërlikuar nga politizimi i çështjes.