
Ky prime në "Big Brother VIP Albania" nisi pa duartrokitje dhe me një studio të boshatisur.
Duke u shprehur se për stafin e Top Channel, "kjo është një ditë zie", Arbana u tregoi banorëve për ngjarjen e ndodhur një ditë më parë.
Janë vetë banorët ata që do të vendosin se çfarë do të bëhet me vazhdimësinë e programit, nëse finalja do të jetë në 6 maj apo jo.
Për të qenë edhe më të sigurt në vendimin e tyre, çdo banor do të ketë mundësinë e një telefonate me një të afërm.
"Nëse ndonjëri prej jush ndjehet se nuk e përballon dot këtë rrugëtim në vazhdim, ne do ta kuptojmë se nuk është e thjeshtë", u shpreh Arbana.
Ajo gjithashtu siguroi banorët se jo vetëm Top Channel, por dhe shtëpia e Big Brother në veçanti është "akoma më e sigurt se çka qenë gjithmonë".
"Sot për sigurinë e Top Channel është një shtet i tërë në këmbë", iu drejtua Arbana banorëve.
Deri tani, duket se banorë si Luizi, Olta apo Elvisi janë dakord ta çojnë deri në fund rrugëtimin, por vendimi zyrtar do të merret të shtunën.