Kosova

Parlamenti Europian liberalizon vizat për Kosovën

Shkruar nga Anabel

19 Prill 2023

Parlamenti Europian liberalizon vizat për Kosovën

Ligjvënësit në Parlamentin Europian ranë dakord për vendimin e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës të cilët do të mund të lëvizin të lirë në zonën Shengen.

“Pas vitesh bllokadë në Këshillin [Europian], Parlamenti Europian më në fund do të miratojë liberalizimin e vizave për vendin më të ri të Europës. Ky hap në rrugën e Kosovës drejt BE-së është shumë i vonuar,” tha eurodeputeti Tomas Waitz.

Nga 1 janari 2024, shtetasit e Kosovës do të mund të lëvizin në vendet e zonës Shengen pa viza për 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore.

“Më 1 janar 2024, qytetarët tanë më në fund do të ndihen të barabartë me popujt tjerë europian, për të lëvizur lirshëm në kontinentin që ata i përkasin, e për të cilin kanë kontribuar ndër shekuj. Tanimë, lëvizja në shtetet europiane është më e lehtë, familjet tona janë më afër dhe mundësitë për avancim e bashkëpunim më të mëdha,” tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh se “kjo është meritë e të gjithëve, veçanërisht e qytetarëve tanë. Andaj urime të gjithëve, sepse është për të gjithë.”

Akti ligjor për liberalizimin e vizave pritet të nënshkruhet të mërkurën dhe vendimi hyn në fuqi sapo të publikohet në gazetën zyrtare të Bashkimit Europian.