Një gjykatë në New York njoftoi se Donald Trump abuzoi seksualisht me shkrimtaren E. Jean Carroll në dhomën e zhveshjes së një dyqani në New York, 27 vjet më parë.
Vendimi, për herë të parë, e cilëson ligjërisht një ish-president të SHBA-së si një “grabitqar seksual”. Gjyqi hodhi poshtë pretendimin për përdhunim, por e shpalli atë përgjegjës për abuzim seksual.
Nisur nga fakti se vendimi është rezultat i një çështjeje civile dhe jo penale, i vetmi sanksion ligjor me të cilin Trump do të përballet është ai financiar.
Një grabitqar (predator) seksual është një individ që shfrytëzon seksualisht dikë në një mënyrë abuzive ose dominuese. Ky ngacmim ose sjellje e papërshtatshme seksuale mund të mos lidhet drejtpërdrejt me seksin për ta, por është një mënyrë për të ushtruar kontroll mbi të tjerët.
Gjykata tha se Trump e nënshtroi E. Jean Carrol ndaj kontaktit seksual pa pëlqim me anë të përdorimit të forcës me qëllim kënaqësinë seksuale. Ajo do të marrë rreth 5 milionë dollarë dëmshpërblim: rreth 2 milionë dollarë për akuzën e abuzimit seksual dhe afro 3 milionë dollarë për shpifje, për etiketimin nga Trump si gënjeshtare.
Carroll është një nga më shumë se një duzinë gra që akuzuan Donald Trump për sulm seksual ose ngacmim. Ajo foli publikisht për në vitin 2019 duke pretenduar se republikani e përdhunoi në dhomën e zhveshjes së një dyqani në Manhattan.
Trump zgjodhi të mos merrte pjesë në gjyq dhe mungoi kur u lexua vendimi. Më vonë, iu referua vendimit si “një vazhdim i gjuetisë më të madhe të shtrigave të të gjitha kohërave.”
Vendimi me siguri do të godasë fushatën e Trump, cili po përpiqet të rimarrë Shtëpinë e Bardhë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA.